Policia e Bulqizës ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku mbeti i vrarë me armë zjarri një 22-vjeçar.
Sipas Policisë ngjarja dyshohet se ka qenë aksidentale, ku 22-vjeçari Elidon Basha është qëlluar nga shoku i tij, me të cilin kishin dalë së bashku për gjueti në rrugën Fushë Bulqizë-Kodër Kane.
Policia ka shoqëruar sakaq 27-vjeçarin Klodian Kola dhe vijon hetimet në lidhje me ngjarjen.
Ekipi hetimor ka gjetur dhe ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale në cilësinë armën e gjahut, një elektrik dore, motomjetin me të cilin këta shtetas kishin shkuar për gjueti dhe sende të tjera të vlefshme që do t’i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Dyshohet se e plagosi me armë gjahu aksidentalisht shokun e tij, i cili humbi jetën, shoqërohet në Polici 27-vjeçari. Rreth orës 23:30 të mbrëmjes së djeshme, në një kodër të fshatit Fushë Bulqizë, shtetasi K. K., së bashku me shtetasin E. B., në rrugën Fushë Bulqizë – Kodër Dane, dyshohet se kanë qenë duke gjuajtur me armë gjahu çifte.
Dyshohet se nga pakujdesia shtetasi K. K. ka plagosur shokun e vet, shtetasin E. B., 22 vjeç, i cili ka humbur jetën rrugës për në spitalin e Tiranës.
Menjëherë pas njoftimit të marrë u ngrit grupi hetimor për zbardhjen e ngjarjes. Falë veprimeve të para hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale arma e gjahut, një elektrik dore, motomjeti me të cilin këta shtetas kishin shkuar për gjueti dhe sende të tjera të vlefshme që do t’i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Bulqizë, shtetasin K. K., 27 vjeç, për veprime të mëtejshme hetimore.
Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të Drejtorisë vendore të Policisë Dibër vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. (E.K/Faxweb.al)