Presidenti Ilir Meta përmes një interviste të dhënë për emisioni Aktualitet në ‘FaxNeës’, është shprehur në lidhje me pandeminë dhe sfidat shëndetësore dhe ekonomike që ajo parashtron për vendin
Meta u shpreh se është një situatë tepër e rënduar dhe duhet qëndruar në lartësinë e sfidave me guxim për t’i përballuar ato.
Gjithashtu Meta krahas problematikës shëndetësore u ndal dhe tek kriza ekonomike e krijuar si pasojë e pandemisë, ku 50 mijë qytetarë kanë humbur vendin e punës që prej Marsit. Në këtë panoramë të situatës së krijuar prej Covidit Meta u shpreh se të gjithë duhet të mobilizohemi për ta kaluar me kosto sa më të ulta për vendin.
Bejdo Malo: Është kohë pandemie, krize dhe për të dhënë një mesazh nga numri një i shtetit shqiptar dua të më thuash dy fjalë?
Sigurisht që është një situatë tepër e rënduar në pikëpamjet edhe të gjendjes shpirtërore, përveç situatës ekonomike, sociale apo të shëndetit që është shqetësuese dhe kërcënuese për shumë qytetarë, për shumë familje. Megjithatë është edhe një moment shpresash edhe kërkese për të qëndruar në lartësinë e këtyre sfidave për ti përballuar ato me kurajo, me bashkëpunim, me guxim, me transparencë dhe mbi të gjitha me vendosmëri për t’i përmirësuar të gjitha këto parametra të rënduara apo përkeqësuara me të cilat ndeshet shoqëria jonë në aspektin shëndetësor por edhe në drejtim të varfërisë, punësimit apo të rritjes së papunësisë dhe për shkak të krizës.
Mjafton ti referohemi Bankës së Shqipërisë që konfirmon se më shumë se 50 mijë qytetarë kanë humbur vendet e tyre të punës që nga Marsi deri tani për shkak të efekteve të pandemisë në ekonomi. E gjithë kjo është një panoramë aspak e optimiste por është edhe një panoramë që duhet të na mobilizojë të gjithëve pozitivisht për ta kaluar atë me një kosto sa më të pakët për vendin, për çdo familje shqiptare në planin e shëndetit, pasi shëndeti dhe jeta janë të parat.
Bejdo Malo: Unë i kam ndjekur disa statuset tuaja ku shprehni dhimbjen për shumë miq që janë ndarë nga jeta por brenda tyre ka edhe një rreze shprese dhe një rreze drite dhe ka një inkurajim për të gjithë se është e shtrenjtë jeta.
Situata është kritike pasi kemi frikë të hapim celularin apo të shikojmë mesazhet apo të shohim lajmet dhe portalet, mos harrojmë që për fat të keq edhe shumë mjek dhe personel shëndetësor kanë humbur jetën që është tepër shqetësuese dhe e dhimbshme përveçse qindra qytetarë. Shumë të tjerë kanë vuajtur dhe janë me pasoja sepse kjo kërkon edhe një periudhë të gjatë edhe të kujdesshme të reabilitimit përveç aspektit psikologjik dhe sigurisht që kjo situatë kërkon optimizëm, kurajo edhe forcë për të rritur psikologjinë fituese në këtë sfidë të pandemisë dhe ekonomisë.
Gjatë kësaj kohe unë kam apeluar që dhe qeveria të bëjë më shumë për të lehetësuar përballimin e pandemisë në pikëpamjet e fuqizimit të mëtejshëm të shëndetit publik, të mbështetjes së mjekëve dhe infermierëve, të trajtimit më me vëmendje me kujdes të sëmurëve jo vetëm atyre që kërkojnë ndihmë në spitale por edhe të shumë të tjerëve të cilët i ndjekin kurat nga familjet e tyre. Një rast i shkëlqyer ishte buxheti i fundit për të përqendruar më shumë financa energji në këtë çështje, pra mendoj se ishte një rast i humbur nga ana e qeverisë e cila nuk arriti dot të reflektonte dhe të ngrihej mbi intersa të tjera që nuk janë ato që përkojnë me interesat e shumicës së qytetarëve shqiptarë dhe me interesin publik në këto momente. Këto përpjekje unë do ti vazhdoj dhe do bëj çdo gjë për të kontribuar pozitivisht në përballimin e kësaj situate edhe të shëndetit por edhe situatën ekonomike e sociale në vend.