Ekzekutimi i 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie ka shkaktuar polemika të mëdha në vendin tonë. Presidenti Ilir Meta ka folur për rastin e tij në emisionin “Aktualitet” nga Bejdo Malo duke thënë se është tejkaluar ligji dhe ka shpresën se i gjithë brutaliteti do të marrë përgjigjen e duhur së shpejti.
Ilir Meta: Kjo sjellje brutale është e përsëritur, rastet e dhunës ndaj minorenëve apo personave të pafajshëm, apo tejkalimet e ligjit nga ana e efektivëve të caktuar të policisë, mbështetja e drejtuesve të qeverisë apo policisë ndaj akteve të tilla, ndërkohë që kërkojnë distancim. Këto janë të qarta dhe tregojnë natyrën e një regjimi policor që nuk ka respekt për të drejtat e njeriut, që nuk bashkohet tek shteti i së drejtës dhe sigurisht që sjell edhe pasoja të tilla, akte të tilla dhe mbi të gjitha një humbje besimi të qytetarëve tek institucionet shtetërore apo ato ligjzbatuese, gjë që është tepër negative. Besoj se është një brutalitet që do ta marri një përgjigje mbarë qytetare.
Si pasojë e protestave, Sandër Lleshaj dha dorëheqjen nga posti i Ministrit të Brendshëm dhe Rama propozoi emrin e Bledi Çuçit, të cilin Meta e dekretoi brenda pak orësh. Pati spekulime se do të emërohej Taulant Balla dhe Elisa Spiropali, ndaj zgjedhja e Ramës ishte surprizë për të gjithë.
I pyetur nëse do të firmoste aq shpejt për emërimin e tyre nëse kryeministri do të kishte propozuar emrin e ndonjërit, Meta tha:
“Është përgjegjësia e kryeministrit të propozojë ministra dhe natyrisht është përgjegjësia e presidentit të konfirmojë apo jo kur ka arsye të karakterit kushtetues apo ligjor. Në këtë drejtim, kam qenë bashkëpunues, përveç atyre rasteve që prekej kushtetuta, ku kam pasur arsye të mjaftueshme që i kam sqaruar publikisht për të mos vënë besimin e duhur. Për emrat që zgjidhen apo përzgjidhen, kjo është një çështje që nuk ka të bëjë me vlerësimet e karakterit moral apo politik nga ana e Presidentit. Këtë vlerësim e bën kryeministri apo partia që propozon dhe opinioni publik. Për presidentin është e rëndësishme gjithmonë që të ketë arsye kushtetuese apo ligjore serioze.”
(A.M/Faxweb.al)