Presidenti i vendit Ilir Meta në një status në Facebook u ka bërë apel strukturave shtetërore për të marrë çdo masë në menaxhimin e situatës hidrometeorologjike në vend sidomos pa përkeqësimit të ndjeshëm të motit dhe reshjeve të shumta në të gjithë territorin e republikës. Durrësi, Vlora, Kruja dhe Lezha kanë raportuar probleme të shumta pasi shirat e rrëmbyeshëm kanë përmbytur rrugët, tokat bujqësore dhe shumë banesa.
Prej ditësh, Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka dhënë paralajmërimin për një përkeqësim potencial të situatës hidrometeorologjike në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në ultësirën veriperëndimore, si dhe në zonat nga Shkodra në Fier.
Ndërkohë, stacionet hidrologjike në Kaskadën e lumit Drin, bëjnë me dije se për shkak të intensitetit të reshjeve, priten shkarkime të mëdha nga HEC-et dhe për pasojë parashikohet të ketë përmbytje në zonën e Shkodrës.
Në këto kushte, i bëj thirrje Qeverisë, ministrive përgjegjëse, prefekturave dhe bashkive në zonat me rrezikshmëri të lartë përmbytjeje, të marrin në konsideratë këto paralajmërime serioze dhe të garantojnë urgjentisht:
? – Informimin me transparencë dhe në kohën e duhur të popullatës, që jeton në zonat me rrezik potencial përmbytjeje, me qëllim garantimin e jetës dhe minimizimin e pasojave në prona e bagëti;
? – Garantimin me rezerva të mjaftueshme ushqimore për popullatën dhe blegtorinë;
? – Vendosjen e hidrovoreve në regjim gatishmërie pune, me kapacitet të plotë;
? – Vënien në gatishmëri të strukturave të koordinimit, menaxhimit dhe atyre operacionale, me qëllim marrjen e të gjitha masave parandaluese për minimizimin e riskut në zonat më të ekspozuara ndaj rrezikut;
? – Gatishmërinë e strukturave operacionale, grupeve të kërkim-shpëtimit, mjeteve ajrore dhe mjeteve lundruese, për garantimin në çdo kohë të operacioneve efektive, në çdo zonë, që rrezikohet nga përmbytjet;
? – Marrjen e masave për kalueshmërinë normale në të gjitha akset rrugore, veçanërisht në Veri, Verilindje dhe Juglindje, që rrezikohen të bllokohen nga reshjet e dëborës dhe rrëshqitjet e dheut apo gurëve.
Mbrojtja e shëndetit, jetës dhe pronës së çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë është një detyrim kushtetues, që duhet përmbushur me përgjegjshmëri maksimale. ??