Një 26-vjeçar është arrestuar nga Policia e Kavajës, pasi furnizonte shtetas të ndryshëm të prekur nga koronavirusi me bombola oksigjeni pa autorizimin e titullarëve. Policia e Kavajës bëri të ditur se 26-vjeçari ishte me detyrë oksigjenist pranë Spitalit Kavajë, ndërsa akuza që rëndon ndaj tij është ajo e “Shpërdorimit të detyrës”.
Sipas Policisë, Mensur Shtylla akuzohet se kishte marrë rreth 30 bombola oksigjeni pa autorizimin e këtij institucioni mjekësor dhe më pas ua kishte dërguar personave të ndryshëm nëpër banesa, të cilët ishin të prekur nga Covid. Kallëzimi në Polici është bërë nga vetë spitali, i cili ka zbuluar këtë shkelje dhe e ka pezulluar të riun që prej datës 11 janar.
Mësohet se 26-vjeçari shpërndante bombolat te personat që ishin të prekur nga Covid-19 dhe që kishin nevojë për oksigjen kundrejt pagesave të ndryshme, ndërsa në disa raste edhe pa lekë.
Pas arrestimit, Shtylla ka pranuar akuzën dhe ka treguar edhe emrat e personave që u kishte dhënë bombolat, të cilat tashmë janë sekuestruar nga Policia në cilësinë e provës materiale.
Sipas Policisë, rezulton se Shtylla firmoste procesverbalin me një kompani private në kryeqytet se bombolat e oksigjenit do t’i çonte në spital, por realisht këtë letër ai nuk e dorëzonte pranë institucionit ku punonte. Mensur Shtylla ishte i vetmi që kishte detyrë dhe përgjegjësi për magazinimin e bombolave të oksigjenit në Spitalin e Kavajës. Ai u zbulua pesë ditë më parë (11 janar) kur drejtuesit e institucionit kërkuan bombola për disa pacientë që kishin nevojë oksigjenin.
Kur është përballur me kërkesën e eprorëve, shtylla ka treguar se në magazinë nuk kishte asnjë bombol pasi ua kishte shpërndarë qytetarëve të prekur me Covid, që kishin pasur të nevojshëm oksigjenin. Me të zbuluar këtë shkelje, drejtuesit e spitalit e kanë pezulluar të riun nga puna dhe kanë denoncuar rastin në Policinë e Kavajës, e cila nisi menjëherë hetimet, duke vënë në pranga specialistin.