“Soni nga Lezha” dyshohet të jetë autori i vrasjes së 54-vjeçarit Edmond Llangozi në Neos Kosmos të Athinës. Në përplasjen me armë që ndodhi para disa ditësh, mbetën të plagosur edhe dy djemtë e viktimës, Anxhelo dhe Mihal, 22 dhe 28 vjeç.
Një borxh prej 600 eurosh dyshohet të jetë shkaku për ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e 11 Janarit. Njëri prej vëllezërve do të shkonte të kthente shumën e parave drejt grupit që drejtohej nga shqiptari nga Lezha.
Ata kishin lënë vendin e takimit përballë një kafeneje pranë shtëpisë së tyre, por kamerat e sigurisë kanë zbuluar se nuk ishte i vetëm personi që po priste vëllezërit. Kjo gjë ka ngritur dyshimet se ishin bërë gati për të përshkallëzuar konfliktin.
Dëshmitë e dy djemve të viktimës kanë ndihmuar hetuesit grekë për të qartësuar dinamikën e ngjarjes. Sapo njëri prej djemve ka shkuar për të dorëzuar paratë, njëri prej personave që shoqëronte autorin e dyshuar i ka zënë pritë duke e goditur dhe ofenduar.
Vëllai tjetër ka ndërhyrë për të qetësuar situatën, por 35-vjeçari shqiptar nga Lezha, i njohur si “Soni” nuk e ka ruajtur gjaknxehtësinë dhe ka qëlluar në drejtim të tyre.
Për të shpëtuar djemtë, Edmond Llangozi është hedhur para plumbave dhe për pasojë ka ndërruar jetë. Nga 8 plumbat që dolën nga arma e autorit, mbetën të plagosur dhe dy vëllezërit.
Pas ngjarjes, autori dhe personat e tjerë të grupit u larguan prej andej me një makinë tip “Opel”, me ngjyrë gri. Sipas policisë greke, 35 vjeçari nga Lezha është person me precedentë të theksuar kriminal pasi sapo kishte dalë nga burgu me kusht për një plagosje që e kishte kryer më herët.