Një 26-vjeçar është arrestuar nga ana e Policisë së Vlorës, pasi dyshohet se ka qenë në drejtimin e mjetit gomone, që u zbulua disa ditë më parë, duke tentuar trafikimin e 50 emigrantëve nga Siria drejt Italisë.
26-vjeçari Emiljano Lika është personi i tretë që arrestohet në kuadër të këtij operacioni, ndërsa kujtojmë se ngjarja mund të ishte kthyer në një tragjedi të vërtetë, pasi një pjesë e emigrantëve pësuan djegie në trupin e tyre, për shkak një defekti në gomone. (Lexo edhe ketu)
Njoftimi i plotë i Policisë:
Vijon puna për zbardhjen e plotë të tentativës për kontrabandim të migrantëve dy javë më parë. Shkon në tre numri i personave të arrestuar, të cilët janë përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Në pranga drejtuesi i mjetit lundrues.
Dy javë me parë, Policia ka vënë në pranga 2 personat përgjegjës për strehimin e shtetasve të huaj emigrantë, përkatësisht pronarin e një hoteli në Tiranë dhe pronarin e një banese në fshatin Trevllazër, Vlorë.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, në vijim të punës për zbardhjen e plotë të tentativës për kontrabandimin e migrantëve në rruge detare dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe ndalimin e autorit të tretë të kësaj ngjarjeje, shtetasin: E. L.(A.), 26 vjeç, banues në Vlorë.
Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas ka qenë drejtuesi i mjetit lundrues (skafisti), me të cilin migrantët nga vendet e treta do të largoheshin në drejtim të shtetit italian, më datë 08.01.2021.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.
(E.K/Faxweb.al)