Presidenti i Republikës, Ilir Meta kërkon nga Prokuroria Speciale (SPAK) që të nisë menjëherë hetimet për zyrtarët e sekserët shqiptarë të përfshirë në përgjimet e Ndrangheta-s, të cilat u publikuan pak ditë më parë ku u arrestuan 48 shqiptarë.
Kreu i shtetit thotë se shtimi i kullave në Tiranë në mungesë të kredidhënies, shton dyshimet për burimet e financimit dhe pastrim parash.
“Për çështjen, që është në hetim në Itali, për gjithçka që përmendet Shqipëria, për çdo zyrtar, sipërmarrës dhe sekser shqiptar, padyshim duhet urgjentisht të nisin hetimet nga Prokuroria jonë dhe nga SPAK.
Fakti, që kemi një çështje në Itali, ku përmenden shumë raste nga Shqipëria, është mëse i mjaftueshëm, që të hetohet menjëherë edhe në vendin tonë.
Së dyti, është bërë evidente nga të gjitha institucionet ndërkombëtare, që ne jemi një vend mjaft problematik, sa i takon fenomenit të pastrimit të parave.
Njëkohësisht, është e qartë që ka rënë kredidhënia për ndërtimin në përgjithësi dhe se ka një financim të jashtëzakonshëm për ndërtimin e shumë kullave në Tiranë, që vendosin pikëpyetje mjaft serioze për burimet e financimit”- theksoi kreu i shtetit.
Kreu i shtetit thotë se është i shqetësuar për daljen e Shqipërisë nga shinat e procesit të integrimit evropian.
“ Sikurse jam mjaft i shqetësuar, prej kohësh, për daljen nga shinat kushtetuese të gjithë shtetit. Ky është shqetësimi im kryesor, rivendosja e vendit sa më shpejt në shinat e Kushtetutës dhe të Integrimit Evropian.
Ashtu sikurse jam mjaft i shqetësuar dhe i brengosur prej vitesh për fenomenin e shpopullimit të Shqipërisë, për mosdhënien e mundësive të rinjve për të qëndruar në vend, për të mos investuar në edukimin e tyre më cilësor sipas kërkesave të tregut të punës, si dhe për të mos iu siguruar atyre një perspektivë me punë më të mirëpaguar”- theksoi ai për faqen “Alb365”.
Duke u ndalur tek zgjedhjet e 25 prillit, Presidenti tha se ato duhet të ishin mbajtur më herët, duke shtuar megjithatë, se ato janë një moment për përmbysje të madhe.
Të gjithë ndajmë të njëjtin mendim, që zgjedhjet duhet të ishin mbajtur me kohë, në kuptimin e zgjidhjes së shumë problemeve ekonomike e sociale, që jo vetëm nuk kanë marr një drejtim por, janë majisur tepër rëndë, duke shtuar akoma më shumë varfërinë dhe padrejtësitë ndaj qytetarit të thjeshtë, të palidhur politikisht me pushtetin, në nivel qendror apo vendor.
“Është evidente, se tashmë vendi përballet me dy probleme të mëdha, bllokimin e integrimit europian, pra me mosçeljen e negociatave prej kaq kohësh, si dhe me ritmet dramatike të shpopullimit, largimit masiv i të rinjve dhe forcave më aktive, në një asimetri me vendet e tjera të rajonit. Shpopullimi dhe pasojat e tij, ndihen besoj nga vetë mësuesit, nga shkollat 9-vjeçare, të mesme dhe Universitetet, ku çdo vit ka gjithnjë e më pak regjistrime, mbyllen shkolla dhe degë në fakultete.
E ndjejnë sipërmarrësit, të cilët kanë paqëndrueshmëri të fuqisë punëtore, madje nuk kanë shpesh fuqi punëtore për shkak të largimeve. E ndjen ekonomia shqiptare dhe mbi të gjitha ndihet në familjen shqiptare, që po tkurret dhe po përjeton kriza të mëdha. Ndaj është koha për një përmbysje të madhe”- tha më tej.