Banorët e një pallati 5 katësh në qytetin e Lacit kanë kaluar natën jashtë pasi sipas tyre objekti në të cilin jetojnë rrezikon të shembet.
Shkak për këtë situatë janë bërë punimet infrastrukturore që po bëhen në kuadër të programit të rindërtimit nga tërmeti.
‘Po gërryhet dheu nga punimet që po bëjnë në rrugë. Ka tre muaj që punojnë, por tashmë ka shfaqur rrezik. Unë banoj në katin 5-të, me familje dhe të tjerët ashtu janë. Kemi shkuar përditë në bashki dhe deri tani asgjë. Do rrijmë jashtë. Kam gocën e vogël, motrën dhe është frik e madhe. Pallati ka pasur ndërtime nga pallati.’, u shpreh banori.
Një banor tjetër u shpreh për Faxneës se kanë folur me pronarin e firmës e cila po ndërhyn në rrugë, kryetarin e bashkisë i cili kishte sjellë disa inxhinier, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë.
‘Kam një biznes në anë të rrugës. Kam dy muaj përpiqem të flasë me firmën e cila ka bërë këtë linjën e kullimit dhe e ka bërë pikërisht në momentin kur po binte shi. Ne si njerëz, si pronar biznesi dhe si banorë i thamë që mos bëj punime se është uji vendit dhe janë objektet shumë afër, por ai nuk e mori parasysh këtë gjë.
Në momentin që filloi dheu duke u shemb atëherë nga frika këta prunë disa makina zhavorr, për t’na hedhë hi syve ne. E kam takuar dy herë pronarin, Agron Hysën dhe i kam thënë të lutem shumë do bëni hatanë sepse këto banesa do të shemben. Është shumë problem situata sepse janë carë banesat dhe është vetëm 10 centimetra që të shkojë në themel dhe të shembet banesa.
Problem është dhe për pallatet e banimit për të cilën banorët kanë shumë të drejtë që janë shqetësuar, pasi mos qoftë ajo ditë dhe të bjerë një tërmet 4 ballsh, i gjithë pallati dhe bizneset bien në kanal. Kam lajmëruar, ka ardhur dhe drejtori i Lezhës mbrëmë në orën 20:00 të darkës, është interesuar bashkë me shefen e komisariatit, kanë lajmëruar kryetarin e bashkisë dhe përfundimisht firma ka vazhduar punimet.
Megjithatë ne lajmëruam kryetarin e bashkisë sot dhe pruri përfaqësues inxhinier të bashkisë dhe thanë që ne do ta bëjmë problem, por nuk është marrë asnjë lloj mase dhe vetëm po presin të shembet. Jemi shumë të rrezikuar dhe të shqetësuar, nuk na pyet askush, nuk na dëgjon askush. Nëse do të ishte kaq i ndjeshëm pushteti do kishte marrë masa dhe do të kishte ndaluar punimet sepse janë të rrezikshme.’, u shpreh një banor tjetër.
Duke u gjendur në këto kushte banorët thonë se jeta e tyre është në rrezik, duke shtuar se punimet janë duke u kryer pa asnjë lloj studimi dhe se shqetësimi i tyre nuk po gjen zgjidhje.
(R.G/Faxweb)