Skaneri i Sanatoriumit është jashtë funksionit, duke bërë që dhjetra pacientë të dynden në spitalin e Infektivit, në pritje të ekzaminimit mjekësor.
Burime për gazetaren e Fax News Fjona Çela bëjnë me dije se fluksi në Infektiv është krijuar për shkak se skaneri në spitalin “Shefqet Ndroqi” nuk funksionon në një kohë kur kërkesat e qytetarëve për ekzaminim janë të larta.
Për të eleminuar radhët e gjata, pacientët e Tiranës adresohen me rotacion njëmujor, njëherë në spitalin Covid 1 dhe njëherë tjetër në spitalin Covid 2.
Këtë muaj rastet e Tiranës duhet të referoheshin në spitalin Shefqet Ndroqi, por prishja e skanerit ka bërë që ata të dynden në spitalin Infektiv. Në spitalin e Sanatoriumit kryesisht janë të shtruar pacientë që vijnë nga qytetet e veriut, ndërsa në Infektiv ata që vijnë nga jugu.
Ndërkohë me rritjen e frikshme që kanë pësuar rastet e reja në vendin tonë, kapacitetet në spitalet Covid janë duke u ezauruar, ndërkohë që qeveria duket të ketë harruar të vërë në zbatim ndonjë tjetër skenar.
Prej dy ditësh numri i raportuar i infektimeve ditore, që bëhet nga Ministria e Shëndetësisë e ka kaluar shifrën e 1 mijë.
(E.K/Faxweb.al)