Avokati Sokol Azizi i ftuar në emisionin Aktualitet, nga gazetari Bejdo Malo tha se lideri i qeverisë është shfaqur i lëkundur kohët e fundit dhe duket i stërlodhur dhe kjo për shkak të mentalitetit politik të krijuar në vend.
Më tej ai u shpreh se aktualisht në Shqipëri ka rënë sistemi i drejtësisë dhe asgjë nuk është duke funksionuar.
“Për nga kuadri ligjor që bëhet fjalë për nga Kodi Zgjedhor, KQZ-ja për shkak të ankimeve të vlerësimit të subjekteve për njëri-tjetrin dhe për konstatimin e tyre mundet dhe ka targetin të marrë vendime për ato çfarë kërkojnë autoritetet ndërkombëtare përkrahë politikës, që do të thotë se jemi ende në kohë për të rregulluar atë çka nuk është rregulluar.
KQZ-ja është duke parë me kujdes Kodin Zgjedhor dhe ka goxha akses për të konstatuar, verifikuar dhe për t’iu thënë subjekteve politike se duhen riparuar këto element.
Të gjitha këto pasoja vijnë për shkak të realitetit në të cilin ndodhemi. Mjafton të vlerësojmë të vërtetën, sipas qytetarit dhe të konstatojmë se çfarë procesi zgjedhor do të jetë. Mjafton të mendohemi dhe të vërtetat janë kaq haptazi para nesh.
Ne kemi goxha vite ku sistemi pjesëmarrës në zgjedhje në mënyrë demokratike të qytetarit ka humbur. Pra ekziston vetëm një udhëheqësi, shikojeni me vëmendje, monopatike. Pra që nga 2005 dhe më pas, vecanërisht pas 2013 ne kemi të bëjmë me një sistem vendimmarrje që quhet monofilatike, që 1-shi vendos për gjithçka, vendos kush do drejtoj, kë do arrestoj, kë do të heq. Kjo lloj kulture jo juridike është krijuar.
Gjatë këtyre 8 viteve shihet se dhe ky 1-shi ka filluar të lëkundet. Kapet në një fjali dhe vazhdon me një fjali tjetër, e pastaj kapet e fillon e shan, tregon që është i stërlodhur, jo për shkakun e tij, por për shkakun e mentalitetit politik ku jetojmë.
Jemi para një situate ku nuk ka më një vizion të qartë se ku do të shkojë politika. Pash sot PD-në që kishte marrë kandidatët atje dhe i kishte reshtur si në kohën kur blihej qumësht dhe fillonte vlerësonte kandidatët e tij. E njëjta gjë është edhe nga partia në pushtet e cila ka vendosur kosin e dhisë në fund për të shtyrë kosin e lopës.
Kanë një lloj logjike që jo i vlerëson tiparet e njerëzve, por i bën si sende të shëmtuara, të cilat reflektojnë vetëm në favor të liderit. Gjërat e mëdha të shtetit kanë rënë, Gjykata, sistemi, ndoshta për shkak të Reformës në Drejtësi, por kanë rënë.”
(R.G/Faxweb.al)