Ditën e djeshme në mediat rozë u shpërnda me shpejtësi lajmi se dy reperët e njohur, Real 1 dhe Dj Blunt ishin përfshirë në telashe me policinë.
Sipas aktakuzës, me datë 27 janar 2019, rreth orës 14:30, në lagjen “Ulpiana” tek rrethi i Fontanës në Prishtinë, njësiti Policore kanë ndaluar veturën e tipit BMW, ku e drejtonte Edon Dedi si dhe me të gjendej pasagjeri Ilir Zhita, gjatë kontrollimit nga ana e Policisë, tek i dyshuari Edon Dedi janë gjetur një sasi e substancës narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 10.5 gram, ndërsa tek i dyshuari Ilir Zhita po ashtu është gjetur sasi prej 3.2 gram si substancë e llojit marihuanë, të cilën e kanë poseduar pa autorizim.
Të dy reperët e pranuan fajësinë e tyre dhe u shprehën të keqardhur për rastin në fjalë, duke premtuar para gjykatës se nuk do përsërisin më veprime të tilla. Ndërkohë ditën e sotme gjykata ka marrë vendimin për Dj Blunt dhe Real 1, duke i dënuar me gjobë.
I akuzuari Edon Dedi, i njohur me emrin artistik Dj Blunt, është dënuar me gjobë prej 350 euro dhe gjashtë muaj burg, ndërsa i akuzuari tjetër Ilir Zhita, i njohur me emrin artistik Real 1, është dënuar me gjobë prej 300 euro dhe gjashtë muaj burg, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me pëlqimin e të akuzuarve dënimi me burg është shndërruar në dënim me gjobë prej 600 euro.
Gjykatësi Gent Beka deklaroi se të pandehurit Edon Dedi i është konfiskuar sasia e substancës narkotike e llojit marihuanë, me peshë prej 10.5 gram, dhe të pandehurit Ilir Zhita po ashtu i është konfiskuar sasi prej 3.2 gram. Dy reperët janë të detyruar që gjobën e tyre ta paguajnë në një afat kohor prej 30 ditësh.