Policia e Shtetit ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e 37-vjeçarit Albert Zaja, një prej vrasësve të dyshuarve pjesëmarrës në ekzekutimin e Shkëlzen Kastrati në Fier.
Zaja u arrestua mesditën e sotme në fshatin Larushk të Niklës në një operacion të udhëhequr nga ‘Forcat Speciale Renea’.
Gjatë ndalimit, në momentin që ka parë se ishte rretheuar nga Forcat Speciale, 37-vjeçari ka tentuar të groposë në baltë një armë zjarri tip pistoletë që mbante me vete, por pa sukses pasi është arrestuar në mënyrë të menjëhershme nga uniformat blu.
Njoftimi i plotë: Policia e Shtetit
Finalizohet operacioni policor i koduar “Nikla”.
Operacioni nga Forcat Speciale “RENEA”.
Kapet dhe vihet në pranga një nga autorët e vrasjes së shtetasit Shkëlzen Kastrati ndodhur më datë 01 shkurt 2021, në Fier.
Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë që e posedonte 37 vjeçari.
Në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së datë 01.02.2021 dhe kapjen e autorëve, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe informacioneve të grumbulluara në rrugë operative për vendodhjen e një prej autorëve të vrasjes së shtetasit Shkëlzen Kastrati, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Nikla”.
Në kuadër të operacionit , në fshatin Larushk të Krujës, Forcat Speciale RENEA bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit Albert Zaja.
37-vjeçari porsa ka parë se është rrethuar nga Policia ka tentuar të fshehë në baltë një armë zjarri pistoletë dhe ka tentuar të largohet , por është kapur dhe prangosur nga Policia.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, mbi bazën e provave të grumbulluara nga strukturat hetimore të DVP Fier në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale ka vendosur në mungesë për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim.
Operacioni vijon për kapjen e autorëve të tjerë të kësaj ngjarje.