Ish-prokurori Gentian Trenova në një intervistë për ‘FaxNews’ me gazetarin Fatjon Gjinaj, ka zbuluar skemën e përdorur nga krimi i organizuar në zgjedhje. Sipas Trenovës cdo zonë ka një padron të sajin, i cili vendos se kush do të jetë deputeti dhe kryetari i Bashkisë së zonës.
Duke përmendur qytete specifike, Trenova tregoi rastet kur krimi i organizuar ka ndërhyrë në zgjedhjet e mëparshme. Ai thekson se më parë krimi i organizuar mund të jetë përdorur nga politika për të ardhur në pushtet një qeveri, por tashme frerët e ‘lojës’ i ka marrë krimi i organizuar, i cili vendos se kush do të udhëheqë.
“Në çdo zgjedhje ka pasur problematikat e veta në lidhje me faktorët e ndryshëm në fushata dhe rezultatin e zgjedhjeve. Gjithsesi nga një palë zgjedhje, në një zgjedhje tjetër, problematikat ndryshojnë dhe nuk janë njëlloj. Ajo që është hasur në zgjedhjet e fundit është interesimi i krimit të organizuar në manipulimin e zgjedhjeve, në intimidimin e votuesve apo në manipulimin e rezultatit zgjedhor.
Në vitet e fundit kemi vënë re një lloj strukture të krimit të organizuar ku në disa krahina për shkak të veprimtarisë kriminale, të vjedhjes, kultivimit dhe rritjes të lëndëve narkotike, këto krahina kanë pasur një padronin dhe ky më pas ishte personi që organizonte të gjithë veprimtarinë e vjedhjes së lëndëve narkotike, fuste në punë të gjithë banorët e zonës, ose njerëz që vinin nga krahina të tjera, paguante të gjithë policët për ti lënë të qetë.
Kjo veprimtari nuk është se njihet publikisht. Këta persona, mbështesin, ose përkrahin, por edhe vendosin se kush do të zgjidhet kryetar bashkie në ato zona, deputeti, shef komisariati, drejtori i policisë së qarkut. Këto më pas kanë ndikim te banorët, të cilët jetën e tyre e kanë përshtatur te kultivimi i lëndëve narkotike. Për shembull zonat e malësisë, të Tepelenës, të Vlorës, të Beratit, Malësia e Madhe, Dibër, zonat e Krujës, të gjitha këto zona kanë qënë struktura jashtë shtetit, pra në një farë mënyrë kanë vepruar paralel me shtetin, një shtet më vete.
Krimi i organizuar ka vepruar edhe në zonat urbane, kryesisht në trafikimin e lëndëve të tjera narkotike, psh. kokainë heroinë, marrim shembull Korçë-Elbasan, që është një zonë e trafikut të heroinës, apo e zonës së veriut ku ka dominuar trafiku i kokainës, përmendim këtu Shkodrën, Kukësin të lidhura me Kosovën dhe Malin e Zi.
Në shumë raste, krimi është aq i fuqishëm sa dominon edhe në vendosjen e deputetëve në listë dhe caktimin e kryetarëve dhe të gjithë këta janë ushtarë të bindur të këtij kapos. Në disa raste është vetë qeveria që i përdor, ose politika i përdor për fushatë dhe më pas i arreston ose i ndjek penalisht. Krimi i organizuar është fuqizuar aq shumë sa që nuk ka më që politika ti përdor por krimi i organizuar përdor politikën.
Shpresa ishte që Refoma në Drejtësi të ishte një lloj mekanizmi që të shkëpuste këtë lidhje të qeverisë me krimin e organizuar. Për fat të keq, Reforma në Drejtësi u politizua, monopolizua, madje vetë krimi i organizuar ka ndikuar në këtë reformë dhe mund të ketë ndikuar në promovimin edhe shkarkimin e gjyqtarëve. Roli i të huajve nuk ka qënë shumë dashamirës, ose nuk i ka kuptuar problematikat e Shqipërisë, por më shumë kanë shërbyer si justifikim për vendimet që kanë marrë programet e vettingut.
Institucionet e reja të drejtësisë janë një lloj situate që nuk kanë kurajo dhe vendosmëri për të justifikuar vendimet e tyre. Arsyet janë disa, kryesore ndihen të intimiduar në punën që bëjnë për shkak të presionit mediatik dhe politik, kjo është një problem shumë i madh. Ligji thotë se ata janë të pavarur, por ata nuk ndihen të pavarur në punën e tyre.”, u shpreh Trenova.
(R.G/Faxweb.al)