Pas goditjes së 18 bazave që shërbenin për mbajtjen e modifikimin e armëve të ndryshme dhe zbardhjen e 3 ngjarjeve kriminale në Tirnaë, autoritetet shpresojnë edhe për zbardhjen e ngjarjeve të tjera.
Burime për Fax news bëjnë me dije se arsenali i armëve të sekuestruara është dërguar në laboratorin e Policisë së Shtetit, ku edhe po bëhen verifikime nëse ato janë përdorur apo jo për ngjarje të tjera kriminale. Sipas informacioneve mësohet se armët e sekuestruara janë të kalibrave të ndryshëm.
Mësohet se menjëherë pas sekuestrimit ato u dërguan për ekspertim balistik dhe daktilografik në Institutin e Policisë Shkencore në Ministrinë e Brendshme. Armët luftarake të sekuestruara janë të llojeve të ndryshme si: snajper, antitanke, kallashnikovë, pistoleta, silenciatorë, radio policie e ushtrie, optikë termikë për snajper, pjesë të ndryshme për modifikimin e armëve luftarake e sasi municionesh luftarake.
Po kështu janë në vijim të këtij operacioni u sekuestruan edhe 7 automjete, 2 prej tyre të blinduara. Gjatë operacionit të koduar “Kompleks”, i cili u ndërmor nga forcat RENEA, u ndalua Paris Prenga, Bledar Deda Flor Abazi, Bujar Jaupi dhe Arben Sufa.
Ndërsa në kërkim janë shpallur Sokol Gjura dhe Akil Kulla. Pas arrestimit të tyre policia tha se Paris Prenga, Bledar Deda, Flor Abazi së bashku me dy persona të tjerë të arrestuar më parë, Ermond Jamaku dhe Enver Jamaku, dyshohet se janë pjesë e atentatit me eksploziv ndaj Artion Bylykut, kunatit të Domart Konjarit, në tetor të 2019.
Të arrestuarit janë po ashtu autorët e sulmit me armë ndaj avokatit Paulin Papleka, më 10 shtator të vitit 2017, në rrugën “Muhamet Deliu”, në Tiranë.
Gjithashtu po të njëjtët persona dyshohet se janë autorë të vendosjes së lëndës eksplozive, granatës dhe armës së zjarrit, si dhe të një lënde narkotike të dyshuar si heroinë në banesën e shtetasit Edmond Saraçi, ngjarje e ndodhur më datë 15 shtator 2017, në Tiranë.