Monika Kryemadhi gjatë një takimi elektoral me gratë në qytetin e Fierit deklaroi se Lëvizja Socialiste për Integrim do të dalë forcë e parë në këtë qark në zgjedhjet e 25 Prillit. Kryemadhi u shpreh se teksa sheh mbështetjen e të rinjve dhe të grave e beson kandidaten Kejdi Mehmeti dhe ambicien e saj për të dal të parët në Fier. Pasi nëse ke mbështetijen e femrës mund të arrish çdo objektiv u shpreh Kryemadhi.
“Tani e kuptoj pse Kejdi më thotë që ne do të dalim forcë e parë në Fier dhe shumë veta mund të jenë skeptikë, jo pa qëllim ne vendosëm një target, që sot takimin do ta bëjmë vetëm me gratë dhe vajzat e 4 rajoneve të qytetit të Fierit. Asnjëri nuk e kupton, por ne që merremi prej vitesh me politikë, e dimë shumë mirë që po nxore gruan nga shtëpia, po binde nënën, po binde bashkëshorten, po binde vajzën, po binde nusen, që të dalë nga shtëpia për të kërkuar të drejtat e saj, ta dini që ajo sfidë është e mbaruar. Është e mbaruar dhe e realizuar, sepse vetëm një grua di si i realizon qëllimet e saj, vetëm një grua di si të mos tërhiqet nga objektivat e saj për të mbrojtur fëmijët, për të mbrojtur familjen, për të mbrojtur shtëpinë.
Nuk thonë kot “kush ka vajza botën ka”. Unë jam e bindur që fitorja e LSI-së në qarkun e Fierit, jo vetëm është e padiskutueshme, por është e konsoliduar, është e qëndrueshme, është e fortë dhe mbi të gjitha një fitore e cila buron nga shtëpitë e fierakëve dhe fierakeve, buron nga zemrat e fierakeve, buron nga shpirti i të rinjve dhe të rejave fierakë, edhe për ata që nuk jetojnë sot në Fier, që jetojnë në Tiranë apo kanë ikur jashtë Shqipërisë për shkak të emigracionit dhe pamundësisë ekonomike.
Jam e bindur që 25 prilli jo vetëm do t’i kthejë në Fier, jo vetëm për të votuar dhe ndëshkuar çdo padrejtësi që u është bërë fierakëve, çdo padrejtësi që u është bërë familjeve fierake dhe familjeve shqiptare, për të ndëshkuar me votë çdo padrejtësi që u bëhet bizneseve fierake, shkollave dhe sistemit arsimor në Fier e kudo.
Sepse forca e gruas është një forcë që buron për të vetmen gjë që jetojmë ne gratë, për të ardhmen e fëmijëve tanë. Ashtu siç Zoti ma dha shansin mua që të isha nëna e 3 fëmijëve, jam e bindur që do të më japi forcë për të punuar çdo ditë, pafund, deri në momentin e fundit të jetës sime për të ardhmen e fëmijëve. Sepse ashtu si çdo nënë jep shpirtin për fëmijët e saj, ashtu si me qindra gra dhe nëna në Shqipëri japin gjak për të ushqyer fëmijët e tyre në pamundësi për të pasur një punë, në pamundësi për t’i dalë zot shteti siç duhet t’i dali, ashtu është dhe sfida jonë, e imja, e Lusidës, e Blertës, e Migenës, e të gjitha grave dhe nënave. Është bekim nga Zoti të kesh shansin dhe mundësinë që të jesh nënë, të rrisësh fëmijë t’i duash ata dhe të luftosh për ta.
Unë sot do t’ju kërkoja që të votonit numrin 6 në 25 prill. Edhe Zotit 6 ditë iu deshën për ta krijuar njeriun, ditën e 7 bëri pushim. Edhe ne numrin 6 e kemi numrin e LSI dhe do ju kërkoja që secila nga ju të votonte shoqen, miken e saj që ka në atë listë. Sepse duke votuar LSI unë do dëshiroja që t’ju ofroja shansin dhe mundësinë nëpërmjet grave dhe vajzave tona për ta zhvilluar qytetin e Fierit.
Shumë prej jush kamë të lidhura me arsimin e shumë prej jush, burrat tuaj i kanë të lidhura me sistemin e naftës. Në fakt me Kejdin, kemi lëvizur dhe me kandidatët e tjerë në gjithë qarkun Fierit, sidomos në zonën e Patosit, Mallakastrës, Roskovecit, rreth e qark Fierit dhe përveç problemeve të bujqësisë që kanë fermerët në zonat bujqësore, një nga problemet më të mëdha është për qytetet e vogla çështja e naftëtarëve.
Ju e dini shumë mirë që vëllezërit tuaj, bashkëshortët tuaj, kanë luftuar për statusin e naftëtarit dhe e dini shumë mirë se sot një naftëtar, jo vetëm që nuk arrin dot, të marrë statusin e tij dhe të shpërblehet me një pension të mirë, por përkundrazi tallen me ta, i gënjejnë, i mashtrojnë, i sorollasin. Ju e dini shumë mirë që pjesa më e madhe e juaj i keni shkolluar fëmijët për të qenë inxhinierë nafte, kimist, sepse kishte vetëm një industri që mund të zhvillohej në Fier. Ishte industria e rënë, industria e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës.
Dhe ju sot e dini shumë mirë që naftën nuk e nxjerrin shqiptarët. Nuk përpunohet asnjë litër naftë sot në qarkun e Fierit, por përkundrazi e gjithë nafta, pasuria e juaj, ikën jashtë dhe të gjithë konsumojmë naftë importi, për të cilën e gjithë valuta shqiptare po përsëri ikën jashtë. Po kjo çdo të thotë, do të thotë varfëri për familjet fierake, do të thotë punëtorë që punojnë në sistemin e naftës të papaguar. Do të thotë çmim nafte më të lartë për ju që keni biznese, për ju që lëvizni dhe do të thotë çmim naftë më të lartë për vëllezërit motrat tuaj, që punojnë në bujqësie.
E pra unë angazhohem këtu si nënë, si vajzë, jo si vajzë Fierake sepse nuk do më lërë Kejdi por si një motër dhe shoqe e juaj, që në do të kthejmë identitetin e industrisë të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës. Të pakushtëzuar nga askush tjetër sepse nafta e gjithë qarkut të Fierit që mban buxhetin e shtetit. Që mban të gjithë zonën e qarkut të Fierit apo dhe atë pjesë të Beratit apo dhe të Vlorës”, tha Kryemadhi.