Para pak ditësh u bë publik një skandal ku Partia Socialiste kishte një ‘database’ në të cilën klasifikonte qytetarët përsa i përket partive që ata do të votojnë në 25 Prill.
Një detaj shoqërues me këtë skandal ka qenë edhe fakti se qytetarët janë ankuar për telefonata që u bëhen nga partitë politikë për t’i pyetur se për kë do të votojnë më 25 Prill.
Zyra e Komisionerit per të Drejtën e Informimin dhe Mbrojtjen e të Dhënave ka reaguar në lidhje me skandalin e publikuar përsa i përket ankesave të qytetarëve për telefonatat që u bëhen nga partitë politike që të mësojnë se për kë do të shkojë vota e tyre.
Në një deklaratë të publikuar nga zyra e Komisionerit, thuhet se po bëhen të gjitha verifikimet e nevojshme në lidhje me rastin në fjalë deri në momentin që çështja nuk do të hyjë në juridiksionin penal.
“Në lidhje me rastin me të cilin u njohëm nga publikimet mediatike, po bëhen vlerësimet e nevojshme ligjore për administrimin zyrtar të dokumentacionit të nevojshëm për shqyrtimin eventual administrativ të rastit, natyrisht për aq kohë sa cështja në fjalë nuk bën pjesë në juridiksionin penal.”
Sipas institucionit të Zyrës së Komisionerit janë administruar vetëm dy ankesa të ardhura nga qytetarët përsa i përket telefonatave që u bëhen qytetarëve për t’i pyetur se për cilën parti do të votojnë.
“Theksojmë se nga data 1 janar 2021, Zyra e Komisionerit ka administruar vetëm 2 ankesa të ardhura nga qytetarë që kanë si objekt thirrjet telefonike në kuadër të fushatës zgjedhore” – thuhet në deklaratë.