Një protestë po zhvillohet ditën e sotme përpara komisariatit të Policisë së Lezhës, ku po mbahen 4 aktivistë të Vetëvendosjes, të cilët u arrestuan pas protestës së para pak ditëve kundër HEC-it në Mirditë.
Janë aktivistët e Vetëvendosjes ata që po mbajnë protestën e sotme dhe krahas kërkesës për lirimin e kolegëve të tyre, ata bëjnë thirrje dhe për dorëheqjen e drejtorit të Policisë Lezhë.
“Qytetarët janë çuar në protest pasi është cënuar një e mirë publike. Tashmë i është cënuar dhe liria e tyre. Qytetarët kanë qenë duke protestuar për një të mirë publlike të tyre dhe janë arrestuar padrejtësisht. Ne nuk e njohim drejtuesin e policisë së Lezhës dhe kërkojmë dorëheqjen e tij”, tha një prej aktivistët.
Pak ditë më parë, një protestë u mbajt nga banorët e fshatrave Thirrë dhe Sang të Njësisë Administrative Fanë, Bashkia Mirditë, kundër ndërtimit të një HEC-i dhe të një fabrike uji në zonë.
Policia shoqeroi 33 banorë dhe aktivistë te Vetëcvendosjes pasi ata bllokuan simbolikisht rrugën e Kombit për disa minuta.
Një nga të shoqeruarit ishte dhe gazetari i Fax News, Preng Gjikola, i cili u shoqerua në mënyrë skandaloze teksa kryente detyrën e ti dhe u mbajt për 4 orë në komisariat.
Teksa shumica e të shoqeruarve u liruan, 4 prej tyre mbeten në burg. Të arrestuarit janë, Besnik Paci, 48 vjeç, banues në Lezhë dhe Etnik Berisha, 22 vjeç, Endrit Bytyqi, 21 vjeç dhe Çlirim Gerbeshi, 22 vjeç, banues në Kosovë.