Imami i Tiranës, Ahmed Kalaja ka folur për mediat mbi ngjarjen e rëndë e ndodhur pak më parë në xhaminë e kryeqytetit ‘Dine Hoxha’.
Kalaja u shpreh se përveç 5 besimtarëve që ndodheshin brenda ambientet e xhamisë, Rudolf Nikolli ka plagosur edhe dy persona të tjerë të cilët ndodheshin jashtë.
Imami bëri me dije se gjendja shëndetësore e të plagosurve paraqitet e qëndrueshme, ndërsa shtoi se shpreson që ky të mos ketë qënë një akt terrorist.
“Situata është nën kontroll të plotë dhe të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën. Fatmirësisht situata u izolua në kohë dhe personi është arrestuar. Këta persona duhet të lihen atje ku duhet dhe të mos lihen të lirë. Brenda xhamisë ku ka ndodhur ngjarja kanë qënë 5 persona dhe kanë marrë plagë të lehta fatmirësisht. Por ai person ka plagosur një person në një piceri këtu pranë dhe një person tjetër në rrugë. Besimtarët brenda në xhami kanë qënë të pavëmendshëm kur janë sulmuar. Ai morëm vesh që ishte me probleme mendore dhe psikike zoti e shëroftë dhe zoti nuk e merr në konsideratë atë person. Shpresojmë të mos ketë qënë një akt terrorist.“, u shpreh Kalaja.
Kujtojmë se 34-vjeçari, Rudolf Nikolli qëlloi me thikë 5 persona brenda xhamisë ‘Dine Hoxha’ në rrugën e Kavajës në kryeqytet. Nikolli u neutralizua në kohë nga qytetarët të cilët e mbajtën deri në momentin që mbërritën Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për të arrestuar atë.
(R.G/Faxweb.al)