Të shtëna me armë zjarri u shënuan në afërsi të Gjykatës në qytetin e Elbasanit mesditen e sotme, ku ish-polici 58-vjeçar Koço Buzo ekzekutoi për vdekje bashkëshorten e tij 54-vjeçare Liljana Buzo.
Ngjarja ‘thriller’ ka ndodhur në rrugën përballë Gjykatës së Elbasanit, ku në përfundim të seancës së divorcit mes çiftit, burri ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në trup bashkëshorten dhe ka tentuar ta qëllojë dhe me thikë në fyt.
I plagosur ka mbetur dhe avokati Gëzim Toçila me tre plumba, i cili është transportuar me urgjencë në spital, si dhe një kalimtar i rastit i cili ka marrë një plumb në dorë.
Burime bëjnë me dije se i pranishëm në ngjarjen e rëndë është dhe djali i çiftit i cili në tentativë për të mbrojtur mamanë i ka marrë armën e krimit babait dhe në moment kur tentoi të qëllonte mbi të i ka ngecur arma.
Policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit të krimit, ndërkohë që djali i çiftit gjendet në gjendje tepër të rënduar psikologjike.
Ky nuk është rasti i vetëm që çifti kishte konflikte me njëri tjetrin por zënkat e tyre kanë qenë të shpeshta kohët e fundit, duke sjellë tragjedinë e ditës së sotme.
Njoftimi i plotë i policisë: Elbasan/Informacion paraprak
Rreth orës 12:15, në afërsi të Gjykatës, shtetasi K. B., 58 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të bashkëshortes së tij, shtetases L. B., 54 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.
Si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë edhe një kalimtar i rastit, shtetasi G. T., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu është paraqitur në spital, i dëmtuar në dorë, edhe shtetasi A. K., i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar për në banesë.
Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë ka bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e autorit, sekuestrimin e armës së zjarrit tip kallashnikov dhe të një arme të ftohtë thikë.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.