Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vdekjen e tre anëtarëve të familjes Haliti nga Gjilani. Burime për Fax News dhe Faxweb.al kanë konfirmuar këtë mbrëmje se dy prej pjesëtarëve të familjes kosovare kanë ndërruar jete dje, ndërsa një tjetër ka ndërruar jetë sot.
Sipas të njëjtave burime, personat që humbën jetën kanë qenë në “Gjirin e Lalëzit”, në Durrës, aty ku kishin blerë edhe shtëpi.
Duke marrë shkas nga natyra e pasur, pjesëtarët ë ndjerë të familjes Haliti kanë dalë në pyll, ku kanë mbledhur kërpudha të egra, të cilat më vonë edhe i kanë konsumuar. Si pasojë e konsumimit të kërpudhave, personat janë helmuar, informojnë burimet.
Megjithatë, një pjesë e madhe e përgjegjësisë për vdekjen e anëtarëve të familjes Haliti ka rënë mbi shtetasit Sh. B., 54 vjeç dhe J. K., 60 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek në qëndrën shëndetësore Manëz, pasi si pasojë e përkeqësimit të shëndetit kanë ndërruar jetë shtetasit kosovarë E. H., 78 vjeçe, A. H., 56 vjeç dhe F. H., 57 vjeçe, siç ka konfirmuar edhe policia.
Më herët, Faxweb.al raportoi se një tragjedi e rëndë ka ndodhur në Shqipëri ku tre anëtarët e familjes Haliti nga Gjilani, kanë vdekur.
Burime të Mediafokus.info bëjnë me dije se dyshimet e para janë që nëna e djali me bashkëshorten, kanë ndërruar jetë si pasojë e helmimit në ushqim, ndërkohë që mbetet të konfirmohet nga autoritetet shqiptare.
Dhembjen për këtë tragjedi e kanë shprehur familjarë e qytetarë të shumtë.
“Sot lagjja jonë mori lajmin tragjik per humbjen e 3 antarve te familjes Haliti, zoti i shperbleft me xhenet.Ngushllime”, ka shkruar Vebi Jerliu.