Janë publikuar pamje nga vendngjarja ku është gjetur i pajetë trupi i 32 vjeçarit në Shkodër i cili ishte zhdukur që prej ditësh.
Viktima është shtetasi Endri Mustafa, një person me precedent të mëparshëm penal, i arrestuar në vitin 2020 për fajde, si dhe i dënuar për plagosje.
Burime bëjnë me dije se 32-vjeçari rezultonte i zhdukur prej tre ditësh dhe më pas kanë qenë familjarët ata të cilët kanë bërë denoncimin në polici.
Në vitin 2016 Mustafa u arrestua me 3 shtetas të tjerë si autorë të veprave penale “Vjedhje me armë”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftrake” kryer në bashkëpunim, ndaj shtetasve me iniciale E.Gj dhe G.M.
Në trupin e viktimës janë konstatuar shenja të vrasjes me armë zjarri. Ka qenë e ëma që ka denoncuar zhdukjen e tij që prej 3 ditësh. Mendohet se mund të jetë hakmarrje, larje hesapesh, pasi viktima ka qenë me precedentë penalë.
Njoftimi i Plotë
Shkodër/Informacion paraprak
Më datë 17.05.2021, në orën 09:00, në bregun e liqenit, në livadhe, në lagjen Guerile, Shkodër është gjetur i pajetë shtetasi E. M., 32 vjeç, dyshohet i vrarë me armë zjarri.
Në lidhje me ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.