Kina ka vendosur të ndalojë institucionet financiare dhe kompanitë që ofrojnë shërbime të cilat kanë lidhje me transaksionet e kriptomonedhave.
Ekspertët thonë se kjo është tentativa e fundit e Kinës për të goditur tregun e kriptomonedhave që prej vitesh ishte në rritje. Sipas vendimit, institucione si bankat, kanalet e pagesave në internet nuk duhet t’iu ofrojnë klientëve shërbime si regjistrimi, tregtimi apo shkëmbimi i kriptomonedhave.
“Kohët e fundit çmimet e kriptomonedhës janë ngritur në qiell si dhe kanë rënë shumë poshtë, dhe kriptomonedhat janë rikthyer sërish, duke cënuar seriozisht sigurinë e pronës së qytetarëve dhe duke prishur rendin normal ekonomik dhe financiar”, ka thënë në një deklaratë qeveria kineze.
Kina ka vendosur të ndalojë transaksionet e kriptovalutave, por jo mbajtjen e tyre.
Kjo nuk është hera e parë që Kina godet tregun e kriptomonedhave. Në 2017 dhe 2019 Banka Popullore e Kinës ndërmorri veprime të ngjashme.
Ky vendim i Kinës ka bërë që tregu i kriptomonedhave të bjerë ndjeshëm, ku kryeson rënia e vlerës së Bitcoin me më shumë se 15% duke e çuar në 31,652 euro.