22 vjeçari shqiptar Armend Xhika mbeti i vrarë si pasojë e një sherri me thika në Sheffield të Britanisë së Madhe të enjten e kaluar. I riu shqiptar u përfshi në një konflikt që i mori jetën.
Një shok i tij, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, ka zbuluar për mediat britanike se Armendi kishte shkuar ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe kishte nisur jetën në Sheffield ku mendohet se jetonte edhe e motra. “Për një jetë më të mirë për veten dhe familjen në Shqipëri”, shkruan “The Star”.
22-vjeçari kishte shkuar në Britani rreth 3 vite më parë. Shoku i tij u shpreh se të rinjtë shqiptarë në përgjithësi paguajnë deri në 26 mijë Paund për të hyrë ilegalisht në Britani dhe për t’i shpëtuar në këtë mënyrë varfërisë në atdheun e tyre.
“Vdekja e Armendit ka nevojë që të bëjë diferencën dhe t’i bëjë njerëzit të kuptojë se çfarë po ndodh në Sheffield. Në Shqipëri, puna është e rrallë dhe njerëzit duhet të paguajnë me mijëra Paund që të gjejnë një punë ose të punojnë shumë gjatë për të fituar deri në 300 Paund që të blejnë ushqime, mbajnë familjen dhe të paguajnë për përkujdesje mjekësore. Jetojnë në varfëri ekstreme.
Gjenerata e re nuk e do këtë gjë dhe vjen në Mbretërinë e Bashkuar për jetën e ëndrrave, si Armendi, i cili kërkonte që të mbështeste familjen dhe të kishte një jetë më të mirë këtu”, ka thënë ai.
Shoku i viktimës ka paralajmëruar se bandat kriminale po shfrytëzojnë të rinjtë si Armendi duke e ditur që nuk kanë dokumente zyrtare për punë të ligjshme.
“Nëse njerëzit janë në borxhe dhe të dëshpëruar për para sepse nuk kanë dokumente atëherë mund të shfrytëzohen. Autoritetet kanë nevojë që të shikojnë gjeneratën e re të shqiptarëve dhe të ofrojnë mbështetjen e tyre përpara se jetë të tjera të merren sepse bien në duart e gabuara”, ka thënë miku i të riut.