Ish-kryeministri Sali Berisha u shpall sot publikisht non grata nga SHBA-të, së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, në një lajm që duket se do të trazojë sërish ujërat në politikën shqiptare.
Ky lajm kishte kohë që flitej nën zë, e madje vetë ish-kryeministri Berisha ishte pyetur publikisht nëse i ishte refuzuar viza për në SHBA, pas insinuatave që bëri në Kuvend kryeministri Edi Rama.
Berisha do të deklaronte asokohe që nuk kishte tentuar asnjëherë që të udhëtonte drejt SHBA-ve, dhe se nuk ishte një njeri që i pëlqenin udhëtimet.
PJESË NGA INTERVISTA E 2019-tës:
Sali Berisha: E them me përgjegjësi absolute se që nga dita që kam dorëzuar detyrë deri më sot nuk kam bërë asnjë kërkesë për të shkuar zyrtarisht në asnjë vend të globit. E konsideroj veten person privat. Nuk kam bërë asnjë kërkesë, nuk më është refuzuar asgjë.
E kundërta mund të ketë ndodhur. Më kanë ardhur me dhjetra ftesa, i kam refuzuar që të gjitha. Asnjë udhëtim zyrtar nuk pranoj sepse kam dhënë dorëheqje. Nuk më shkon mua tani të kaloj nga një zyrë në tjetrën.
Blendi Fevziu: Keni tentuar të shkoni privatisht në SHBA?
Sali Berisha: Kurrë, në mënyrë kategorike. Kur më është sugjeruar një gjë e tillë nga ambasadori i atij vendi (Donald Lu), ja kam shpjeguar, jo i kam thënë nuk shkoj, sepse unë tani jam privat. Kjo është e vërteta.
Blendi Fevziu: Nga doli ky lajm?
Sali Berisha: Nuk e kam dëgjuar kurrë! Në mënyrë kategorike as e kam dëgjuar as e kam parë. Që nga viti 2013 deri sot nuk kam bërë kurrë asnjë kërkesë për asnjë udhëtim as në SHBA dhe në asnjë vend tjetër që ka viza. Sa i përket Gjermanisë, kam qenë mëngjesin e lutjeve. Gjysma e atyre që shkojnë aty janë si puna ime. Është mëngjes lutjesh.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij, përfshirë bashkëshorten Liri Berisha, djalin Shkëlzen dhe vajzën e tij Argitën.
Lajmi bëhet i ditur nga sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken, i cili në një reagim në Twitter thotë se Berisha dhe familja e tij akuzohen për akte të rënda korrupsioni, që minojnë demokracinë e Shqioërisë.
Në postimin e tij në Twitter Blinken shprehet se SHBA-të mbeten në krah të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit.
Sekretari amerikan i shtetit: Veprimet e korruptuara të ish-Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha minuan demokracinë në Shqipëri. Unë jam duke caktuar publikisht Berishën dhe anëtarët e familjes së tij të afërt si të papërshtatshëm për hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi të bashkuar në luftën kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri.
Në reagimin e plotë që është publikuar dhe nga DASH thuhet se Berisha përmes retorikës që mban publikisht tregon se është i gatshëm që të mbrojë vetën, familjen dhe aleatët e tij, nga ccdolloj hetimi nga organet ligjzbatuese.
(E.K/Faxweb.al)