Mungesa e ujit prej 5 ditësh ka bërë që banorët e “Babrru Kodër”, të ngrihen në protestë dhe të kërkojnë vëmendjen e institucioneve publike për të zgjidhur problematikën e tyre.
Në një intervistë për FaxNews, një banor i zonës shprehet se përpara zgjedhjeve ata nuk kanë probleme të tilla dhe kanë pasur ujë normalisht. Pas zgjedhjeve kanë filluar problematikat me ujin, ku u është bllokuar tubi i furnizimit me justifikimin se puseta i takon Bashkisë së Tiranës dhe ata i përkasin administrativisht Bashkisë së Kamzës.
Banorët bëjnë thirrje për zgjidhjen e problemit të ujit sa më parë, pasi në të kundërt do të përshkallëzojnë protestat e tyre deri në bllokimin e rrugës.
“Sot 5 ditë kemi pa ujë. Kemi pasur komunikime dhe na thonë që nuk keni të drejtë të merrni ujë pasi puseta aty i takon qytetit të Tiranës.
Para votimeve tërë ditën kemi pasur ujë, tani pas votimeve s’kemi më ujë. Kemi qenë sot te Bashkia dhe na ka thënë drejtori i Ujësjellësit që sot në orën 7 do të ishte këtu po nuk ka ardhur.
Detyrohemi ta blejmë ujin me dum-dum. 30 e ca mijë lekë i paguajmë te ujësjellësi aty muaj për muaj dhe ujë nuk kemi
Nuk kërkojmë, as bukë as punë, kërkojmë ujë që të lahemi kur vijmë nga puna. Po vazhduam kështu ne do të bllokojmë rrugën dhe do të vijojmë protestat. S’kemi zgjidhje tjetër. Nuk duam 24-orë ujë, siç thonë ata, duam 2 orë në mëngjes dhe dy orë pasdite.
Babrru Kodër ne jemi pa ujë, pagujmë lekët dhe ujë s’kena”, tha banori.