Këshilli Bashkiak i Vlorës nuk dorëzohet, tjetër kërkesë për mbledhje jashtë radhe me kryebashkiakun Dritan Leli, të cilit i kërkojnë ballafaqim për punën e bërë në krye të këtij institucioni.
Në një shkresë ku i drejtohen për mbledhje urgjente, kryetares së këshillit Bashkiak Migena Balla, këshilltarët e Vlorës të kryesuar nga Anduel Tahiraj propozojnë një tjetër mbledhje në ambientet e Teatrit Petro Marku, në datën 22 Qershor, pra javën e ardhshme.
Por duket se ”teatri” i të djeshmes do të vazhdojë, me Lelin që e nisi mbledhjen online pa praninë e këshilltarëve bashkiakë, teksa këta të fundit orvateshin përpara Teatrit Petro Marku. Refuzimi i Lelit për të pasur një mbledhje fizikisht me këshilltarët është bërë për shkak të respektimit të rregullave anticovid, të vendosura nga vetë komiteti i ekspertëve.
Përveç kërkesës për shqetësimet mbi punët e Bashkisë, këshilltarët tashmë kërkojnë transparencë dhe mbi vendimin e Lelit, për të mos bërë mbledhje me ta gjatë ditës së djeshme, duke u shmangur sipas tyre nga një përballje.
(E.K/Faxweb.al)