Drejtori i Policisë së Shkodrës, Niko Brahimaj, ka dhënë një deklaratë për mediat, pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Velipojë, ku mbetën të vrarë 4 persona dhe u plagosën dy të tjerë.
Brahimaj tha se paraprakisht dyshohet se sherri ka nisur për një konflikt që lidhej me rërën dhe shezlonet, ndërsa shtoi se gjatë përplasjes është përdorur më shumë se një armë, por vetëm një pistoletë është sekuestruar deri në momentet që flasim.
Dyshohet se një prej personave që ka qëlluar me armë të jetë larguar prej aty, ndërkohë që drejtori i policisë dha një konfirmim naiv, kur tha se ”ndoshta mund të ketë edhe persona të arrestuar”.
“Rreth orës 00:30 minuta këtu në Velipojë ka ndodhur një ngjarje tepër e rëndë kriminale, ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të lokalit Gocaj, pas një koflikti për ndarjen e pronësisë për sipërfaqen e rërës që shfrytëzohet për shezllonet, kanë gjetur vdekjen Kujtim Ferracaku, Xhovani Gocaj, Edmond Gocaj dhe Myserim Zeneli, ndërsa plagosur kanë mbetur Hasan Ferracaku dhe Elmind Dyli.
Në vendngjarje kanë ardhur autoritetet më të lartë, drejtori Ardi Veliu, drejtori i departamentit të policisë kriminale Tonin Vocaj, shpresojmë që në takimin tjetër që do të bëjmë bashkë të japim detaje të tjera. Paraprakisht mund të them që në konflikt janë përdorur më shumë se një armë, për momentin kemi sekuestruar vetëm një armë. Kemi sekuestruar një sërë kamerash, por duhet thënë që pamja ka qenë e kufizuar për shkak të errësirës.
Shumë shpejt do të ketë persona të shpallur në kërkim, por edhe të arrestuar ndoshta, jo ndoshta, por do të ketë dhe persona të arrestuar”, tha Brahimaj për mediat.
Bilanc lufte, është ajo që ka sjellë përplasja me armë pas mesnate në Velipojë, ku mbetën të vrarë 4 persona, dhe u plagosën dy të tjerë, pas sherrit për shezllonet dhe hapësirën e lokaleve.
Viktima nga plumbat e armës kanë ngelur Kujtim Ferracaku, Xhovani Gocaj, Edmond Gocaj dhe Myserim Zeneli, ndërsa plagosur kanë mbetur Hasan Ferracaku dhe Elmind Dyli, që dyshohet edhe se e kanë kryer aktin makabër.
Përplasja ka nisur fillimisht me fjalë mes viktimave, dhe më pas ka degjeneruar në përplasje armësh.
Kujtim Ferracaku është pronari i hotel “Fantazia” në Velipojë, dhe është konfiktuar me pronarët e lokalit “Gocaj”, ku kanë mbetur të vrarë nga 2 persona të secilës palë, ndërkohë që makthi i krismës së armëve duket se do të shoqërojnë për një kohë të gjatë të gjithë pushuesit që kanë qenë në Velipojë.
Kujtim Ferracaku, është babai i Arjan Ferracakut, i cili është vrarë po ashtu në një atentat në Shkodër, ndërsa Hasan Ferracaku që ka mbetur i plagosur është vëllai i tij.
(E.K/Faxweb.al)