Teksa i madh dhe i vogël është tronditur nga ngjarja e rëndë që ndodhi pas mesnate në Velipojë, ku u vranë 4 persona, dhe u plagosën 2 të tjerë, kryeministri vijon me postimet e tij në Facebook, e puna e donte që sot radhën ta kishte pikërisht plazhi ku ndodhi masakra.
Rama përmes një foto në rrjetet sociale, shkruan: Mirëmëngjes nga Velipoja e dashur!
Të menjëhershme kanë qenë komentet e ndjekësve të Ramës, të cilët i kanë përmendur 4 të vrarët e pasmesnatës, ndërkohë që stafi i kryeministrit e mban ende foton në postim.
Pas masakrës me 4 të vrarë, dhjetra pushues, të tronditur nga ngjarja, kanë vendosur që të largohen dhe të lënë në mes pushimet e tyre, si pasojë e tronditjes që kanë përjetuar.
Bilanc lufte, është ajo që ka sjellë përplasja me armë pas mesnate në Velipojë, ku mbetën të vrarë 4 persona, dhe u plagosën dy të tjerë, pas sherrit për shezllonet dhe hapësirën e lokaleve.
Viktima nga plumbat e armës kanë ngelur Kujtim Ferracaku, Xhovani Gocaj, Edmond Gocaj dhe Myserim Zeneli, ndërsa plagosur kanë mbetur Hasan Ferracaku dhe Elmind Dyli, që dyshohet edhe se e kanë kryer aktin makabër.
Përplasja ka nisur fillimisht me fjalë mes viktimave, dhe më pas ka degjeneruar në përplasje armësh.
Kujtim Ferracaku është pronari i hotel “Fantazia” në Velipojë, dhe është konfiktuar me pronarët e lokalit “Gocaj”, ku kanë mbetur të vrarë nga 2 persona të secilës palë, ndërkohë që makthi i krismës së armëve duket se do të shoqërojnë për një kohë të gjatë të gjithë pushuesit që kanë qenë në Velipojë.
Kujtim Ferracaku, është babai i Arjan Ferracakut, i cili është vrarë po ashtu në një atentat në Shkodër, ndërsa Hasan Ferracaku që ka mbetur i plagosur është vëllai i tij.
(E.K/Faxweb.al)