Gjykata e Tiranës ka dënuar me 4 muaj burg efektivin e policisë Glen Ndreu, i cili dhunoi të riun Sarandi Çobo në zonën e liqenit Artificial një vit më parë. Dënimi për Ndreun do të kalojë në punë në interes publik.
Video e dhunës në maj të 2020-ës bëri xhiron e rrjetit, ndërsa Drejtoria e Standardeve pezulloi efektivin e Komisariatit nr 2, i cili u kallëzua edhe për dhunë.
Gjatë procesit penal të zhvilluar në Gjykatën e Tiranës, nëna e të riut të dhunuar kërkoi dënim maksimal për efektivin, i cili dhunoi adoleshentin pasi ndodhej jashtë gjatë karantinës së vendosur për masat antikovid dhe nuk respektuan sipas policisë urdhrat e Policisë.
Nëna e adoleshentit paralajmëroi ankim të vendimit të Shkallës së Parë pasi nuk ishte dakord me kalimin në punë në interes publik të 4 muajve burg.
Kujtojmë se skandali i dhunimit të adoleshentit u pasua edhe nga një deklaratë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i cili teksa publikonte video nga instagrami I nënës së të riut gjatë një skene filmi, e akuzonte atë se mbante armë, duke justifikuar veprimet e policëve me faktin se I riu nuk ishte rritur në mënyrën e duhur.