Policia e Fierit ka arrestuar ditën e djeshme katër persona për vepra të ndryshme penale. Në pranga kanë përfunduar shtetasit: Artur Merko, 52-vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike“ kryer në bashkëpunim dhe Emanuel Mile 28-vjeç, për veprën penale “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka thyer masën e sigurisë të arrestit shtëpiak.
Gjithashtu nga specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier u arrestuan në flagrancë shtetasit: Fabio Telhaj 28 vjeç, banues në Lushnjë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin tip “Benz” (autoshkollë), në gjendje të dehur dhe me leje drejtimi të pezulluar, si dhe shtetasi Genci Gorovelli banues në Kashtëbardhë, Lushnjë, pasi në fshatin Lifaj, mbrëmjen e djeshme, duke drejtuar automjetin tip “Ford Focus” është përplasur me një karrocë që tërhiqej nga një kafshë dhe për pasojë është dëmtuar lehtë shtetasi E. G., 40 vjeç, banues në Lifaj, i cili po udhëtonte me karrocën.
Njoftimi i plotë i policisë: Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Bien në prangat e Policisë 4 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin A. M., 52 vjeç, banues në Fier. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Apelit Vlorë i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg“ për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike“ kryer në bashkëpunim.
Ky shtetas është njëri prej autorëve të kultivimit të fidanëve narkotikë cannabis sativa në kubikë, të cilët u konstatuan në pyllin e Semanit, gjatë operacionit të datës 19 maj 2021.
Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u bë ndalimi i shtetasit E. M., 28 vjeç, banues në Fier.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, sepse gjatë kontrollit nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, nuk është konstatuar në banesën e tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Nga specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier u arrestuan në flagrancë shtetasit: F. T., 28 vjeç, banues në Lushnjë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin tip “Benz” (autoshkollë), në gjendje të dehur dhe me leje drejtimi të pezulluar.
G. G., 47 vjeç, banues në Kashtëbardhë, Lushnjë, pasi në fshatin Lifaj, mbrëmjen e djeshme, duke drejtuar automjetin tip “Ford Focus” është përplasur me një karrocë që tërhiqej nga një kafshë dhe për pasojë është dëmtuar lehtë shtetasi E. G., 40 vjeç, banues në Lifaj, i cili po udhëtonte me karrocën.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprime të mëtejshme procedurale.