Kryetari i Bashkisë së Lushnjes Fatos Tushe, u arrestua ditën e sotme gjatë një operacioni antikorrupsion të zhvilluar nga SPAK, me mbështetjen e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA-s.
FaxNews ka mësuar se në operacionin e ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme janë lëshuar 11-urdhër arreste, përfshirë kryebashkiakun e Lushnjës, 4 bashkëpunëtorë të tij në bashki, zyrtarë të tjerë shtetërorë si dhe biznesmenë, të cilët janë të përfshirë në skemën korruptive të fondeve publike.
Burime jozyrtare bëjnë me dije se dyshohet se Fatos Tushe ka abuzuar me fondet publike, përfshirë dhe tenderin për pastrim e qytetit prej 300 mijë euro.
Personat e tjerë të arrestuar janë: Flamur Peqini, Xhemal Hasko, Blerta Turuku, Ani Simoni, Andri Mushaj, Margarita Gjermeni, Bujar Murati, Ibrahim Lami, Xhemal Hasko, Gazment Çela.
Burime bëjnë me dije per Faxweb.al se Flamur Peqini konsiderohet dhe si kreu i grupit të të arrestuarve, pasi ka mbajtur postin e kreut të inspektoriatit të ndërtimit në Lushnje.
Hetimet për personat e përfshirë në këtë skemë abuzimi, mësohet se kanë qenë nën hetim prej 6 muajsh, ndërkohë që SPAK ka kërkuar që të bëhet kontroll edhe në zyrën e Fatos Tushes.
SPAK ka kërkuar sekuestrimin e dosjes në zyrën e Kadastrës dhe të ndërmarrjes së punëve publike, mdërlpjë që akuzat që rëndojnë mbi ta janë ”shpërdorimi i detyrës” dhe korrupsioni duke shpërdoruar fondet publike.
Tushe ka drejtuar Bashkinë që prej 2019-tës, ndërkohë që në 31 Dhjetor të atij viti iu bë dhe një atentat me granat brenda në zyrën e tij.
Autor i kësaj ngjarje asokohe u tha se ishte shtetasi, Gëzim Saraçi, ish shofer i kryebashkiakut Fatos Tushe, për të cilin ka pasur akuza që merret me trafik të lëndëve narkotike.
Vetë Tusha përfundoi në spital pas atentatit me granat, ndërsa e plagosur mbeti dhe sekretarja e tij. Pas ngjarjes familja e tij u mor në mbrojtje nga ana e Policisë.
Tushe është akuzuar dhe nga ish-kryeministri Sali Berisha se ka bashkëpunuar me anëtarë të bandës “Hakmarrja për Drejtësi”.
Përpara kandidimit për Bashkinë Lushnjë në 2019, Tushe ka shërbyer si deputet i Parlamentit për zonën e Fierit; anëtar i Partisë Socialiste, anëtar në Komisionin e Prodhimit, Tregtisë dhe Mjedisit. Po ashtu ai ka qenë kryetar i bashkisë Lushnje për vitet 2007–2009; Anëtar i Parlamentit në legjislaturën XVIII deri më 31.03.2011. Ai dha dorëheqjen sepse kandidoi për bashkinë e Lushnjës në zgjedhjet lokale të vitit 2011.