Kryeministri i vendit Edi Rama ka reaguar lidhur me arrestimin e kryebashkiakut të Lushnjes Fatos Tushe, i cili dyshohet se ka kryer korrupsion, dhe ka abuzuar me paratë publike. Rama thotë se PS nuk do të mbrojë asnjë zyrtar që dyshohet për vepra penale, dhe secili prej tyre duhet të përballet vetë me drejtësinë.
Kryeministri Rama postim ne Twitter:
Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve.
Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak.
Faxweb.al ka zbardhur më herët emrat e 11 personave të arrestuar në kuadër të operacionit antikorrupsion që është ndërmarrë nga SPAK në Bashkinë e Lushnjes, ku u arrestua dhe kryetari i saj Fatos Tushe.
Personat e tjerë të arrestuar janë:
Flamur Peqini
Xhemal Hasko
Blerta Turuku
Ani Simoni
Andri Mushaj
Margarita Gjermeni
Bujar Murati
Ibrahim Lami
Xhemal Hasko
Gazment Çela
Burime bëjnë me dije per Faxweb.al se Flamur Peqini konsiderohet dhe si kreu i grupit të të arrestuarve, pasi ka mbajtur postin e kreut të inspektoriatit të ndërtimit në Lushnje.
Hetimet për personat e përfshirë në këtë skemë abuzimi, mësohet se kanë qenë nën hetim prej 6 muajsh, ndërkohë që SPAK ka kërkuar që të bëhet kontroll edhe në zyrën e Fatos Tushes.
SPAK ka kërkuar sekuestrimin e dosjes në zyrën e Kadastrës dhe të ndërmarrjes së punëve publike, ndërkohë që akuzat që rëndojnë mbi ta janë ”shpërdorimi i detyrës” dhe korrupsioni duke shpërdoruar fondet publike.
Tushe ka drejtuar Bashkinë që prej 2019-tës, ndërkohë që në 31 Dhjetor të atij viti iu bë dhe një atentat me granat brenda në zyrën e tij.
Autor i kësaj ngjarje asokohe u tha se ishte shtetasi, Gëzim Saraçi, ish shofer i kryebashkiakut Fatos Tushe, për të cilin ka pasur akuza që merret me trafik të lëndëve narkotike.
Vetë Tusha përfundoi në spital pas atentatit me granat, ndërsa e plagosur mbeti dhe sekretarja e tij. Pas ngjarjes familja e tij u mor në mbrojtje nga ana e Policisë.
Tushe është akuzuar dhe nga ish-kryeministri Sali Berisha se ka bashkëpunuar me anëtarë të bandës “Hakmarrja për Drejtësi”.
Përpara kandidimit për Bashkinë Lushnjë në 2019, Tushe ka shërbyer si deputet i Parlamentit për zonën e Fierit; anëtar i Partisë Socialiste, anëtar në Komisionin e Prodhimit, Tregtisë dhe Mjedisit. Po ashtu ai ka qenë kryetar i bashkisë Lushnje për vitet 2007–2009; Anëtar i Parlamentit në legjislaturën XVIII deri më 31.03.2011. Ai dha dorëheqjen sepse kandidoi për bashkinë e Lushnjës në zgjedhjet lokale të vitit 2011.
(E.K/Faxweb.al)