Deputetja e zgjedhur e PD-së, Albana Vokshi i ka bërë thirrje qeverisë të tërhiqet nga uzurpimi i një institucioni të pavarur sicc është Autoriteti i Medias Audiovizive.
Thirrja e Vokshit vjen një ditë para se kreu i ri i AMA-s të votohet në parlament. Dy kandidaturat për këtë post janë drejtoresha aktuale e ATSH Armela Krasniqi dhe Alketa Dibrës.
Pikërisht me emrin e Armela Krasniqit nuk bie dakord Albana Vokshi, e cila thotë se nuk duhet të zgjidhet në krye të AMA-s një zëdhënëse e Ramës.
Vokshi më tej flet dhe për një artikull të “Reporterëve Pa Kufij”, të cilët ditën e sotme thanë se qeveria po zgjedh kreun e ri të AMA-s pa opozitën.
Së fundmi, Albana Vokshi i kërkon qeverisë që ditën e nesërme të tërhiqet dhe të mos i nxijë më shumë imazhin Shqipërisë si vendi ku gazetarët dënohen me burg, liria e medias është në rrezik dhe demokracia akoma më e kercënuar nga nje regjim autoritarist që qendron në pushtet me votë të vjedhur.
“Është koha që Edi Rama të tërhiqet nga vendimi antidemokratik për të kapur Autoritetin e Medias Audiovizive përmes zëdhënëses së tij.
Votimi i parashikuar nesër në orët e fundit të këtij parlamenti ilegjitim është kthyer në shqetësim për Reporterët Pa Kufij. Në reagimin e sotëm, organizata kryesore në mbrojtje të gazetarëve vë në dukje se ky vendim po merret pa opozitën, përpara nisjes nga puna të parlamentit të ri.
Është e papranueshme për standardet demokratike që zëdhënësja e Edi Ramës të emërohet në krye të një institucioni të pavarur, veçanërisht, kur qeveria nuk ka hequr dorë akoma nga ligji i censurës që dënon gazetarët me burg.
Nesër është dita që qeveria të tërhiqet dhe të mos i nxijë më shumë imazhit Shqipërisë si vendi ku gazetarët dënohen me burg, liria e medias është në rrezik dhe demokracia akoma më e kercënuar nga nje regjim autoritarist që qendron në pushtet me votë të vjedhur!”, shkruan Vokshi.
(E.H/Faxweb.al)