24 orë pas zhurmës së krijuar në media, në lidhje me disa bime të dyshuara kanabis që u shfaqën në një video të Ministrisë së Bujqësisë në Lushnje, kjo e fundit ka reaguar dhe ka dhënë sqarim zyrtar në lidhje me çështjen.
Në reagimin e Ministrisë thuhet se në disa sera që janë nën administrimin e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) Lushnje, rriten bimë të dyshuara kanabis, me kërkesë të policisë së shtetit, për çështje eksperimentale.
Përmes një shkrese, që mban datën 4 Maj të këtij viti, MB thotë se në Lushnje janë dërguar me kërkesë të policisë 6 bimë të dyshuara kanabis, për të cilat kërkohet një eksperiment kimik.
NJOFTIMI I PLOTË I MINISTRISË:
Në vijim të disa raportimeve dizinformuese në media të ndryshme informojmë si më poshtë:
Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) Lushnjë, ka në objektin e punës kërkimin/transferimin e teknologjive bujqësore për kulturat perimore dhe grurin si dhe identifikimin, testimin, përshtatjen e metodave dhe inputeve të reja në praktikat bujqësore. Kjo qendër disponon edhe një serrë për prodhimin dhe testimin e fidaneve të llojeve të ndryshme.
QTTB Lushnjë, në fushën e saj të veprimtarisë bashkëpunon me ente publike dhe private. Në këtë kuadër, bazuar në kërkesat e Prokurorisë /Policisë së Shtetit, kryen për llogari të hetimeve të tyre mbjelljen e farërave të bimeve të dyshuara si bimë narkotike. Bimet në fjalë janë mbjellë sipas kërkesës së tyre më shkresën numër 369, datë 4.05.2021.
Kjo formë e bashkëpunimit është e hershme dhe e vazhdueshme midis QTTB-ve dhe Prokurorisë/Policisë, në funksion të evidentimit të farërave të dyshuara nëpërmjet mbjelljes dhe rritjes deri në një fazë të caktuar.
Që prej vitit 2010 kjo procedure bëhet sipas një protokolli të përcaktuar qartë, që fillon nga marrja në dorëzim e farërave, mbjellja e tyre, shërbimet dhe dorëzimi i bimëve sipas dokumentacionit përkatës. Për mbjelljen e këtij numri të kufizuar bimësh shfrytëzohen të njejtat ambiente që përdoren edhe për kultivimin e bimëve të tjera.
Gjithashtu në vijim të sqarimit të opinionit publik referuar lajmeve të fundit mbi një zjarr të rënë në QTTB Lushnjë, informojmë se ky informacion është i pasaktë. Bëhet fjalë për një zjarr në një sipërfaqë të kufizuar toke në distancë me këtë qendër, ku digjeshin mbeturina kashte (hamullash) pas korrjes së grurit
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mbetet e hapur dhe në dispozicion për cdo informacion tjetër që mund të nevojitet.
Ndërkohë që për Fax News foli dhe Andrea Muço, Drejtor i institutit të teknologjive bujqësore Lushnje, i cili foli dhe për një zjarr që ra dje në një tokë të korrur me grurë. Kjo ngjarje u lidh nga disa media me serën ku dolën pamjet e kanabisit, por që sipas Muços dy tokat janë në distancë afro 2 kilometra mes tyre.
”Siç e shikoni këtu ka pasur një zjarr, origjina e zjarrit janë kazanët e plehrave, gjë që ka ndodhur dhe më herët, nga kazanët zjarri ka kaluar në tokën ku ka qenë i mjellur gruri. Erdha menjëherë sapo pashë rënien e zjarrit, me aludimin tjetër se i kemi vënë zjarrin për të djegur zjarrin, serat janë 1.5-2 km larg, i bie që zjarri të kalojë autostradën.
Për hir të vërtetës unë nuk kam lexuar portalet, mua më vjen inat se dje ka qenë një televizion që ka nxjerrë të tjera gjëra nga ato që kam thënë unë, në gojën time kanë vënë fjalët e veta.
Para dy vitesh ka rënë zjarr, në të njëjtën situatë si edhe sot. Unë situatën do tia sqaroj kujtdo që më ka pyetur, serat janë larg, kështu që kjo është e vërteta”, tha Muço për Fax News.
Ishte vetë Ministria e Bujqësisë ajo që publikoi dhe fshiu një video ku dukeshin pamjet e disa bimëve të kanabisit, dhe pas vëmendjen që mori nga media të ndryshme dhe në rrjetet sociale, u detyrua që të bëj një reagim zyrtar për çështjen.
Pamjet që publikoi dhe fshiu Ministria e Bujqësisë:
(E.K/Faxweb.al)