Gjykata e Tiranës, ka refuzuar kërkesën e prokurorisë së kryeqytetit për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, për katër zyrtarët e Inspektoriatit të Ndërtimor në Tiranë.
Kërkesa për arrestimin e zyrtarëve të këtij institucioni, ishte depozituar në gjykatë nga prokurori, Besim Hajdarmataj. Sipas akuzës, pas hetimeve të kryera ka dalë në përfundimin se kreu i Inspektoriatit Ndërtimor në Tiranë, Mariglen Qato, ka abuzuar me detyrën duke kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
E njëjta akuzë është ngritur dhe për inspektorët e tjerë të këtij institucioni, Adrian Çaushaj dhe Leandro Lamani si dhe arkitektin me inicialet K.B. Për të katër personat e vënë nën hetim prokurori Hajdarmataj, ka kërkuar nga gjykata e Tiranës, caktimin e masës së “arrestit në burg”.
Por gjyqtari i çështjes, ka vendosur të refuzojë kërkesën duke caktuar masën e “detyrimit për paraqitje në polici”,për kreun e INT-së Tiranës, Mariglen Qato dhe dy inspektorët Çaushaj dhe Lamani. Ndërsa për arkitektin me inicialet K.B, gjykata ka vendosur caktimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.
Çështja penale eshtë rregjistruar pas një kallëzimi penal të bërë nga disa banorë të zonës së “Kombinatit” në kryeqytet, të cilët pretendonin se gjatë zgjerimit të rrugës në zonën ku ata jetojnë, kompania private që kryente punimet, i ka hyrë në pronën e tyre, duke kryer punime forcërisht pa marë miratimin e tyre.
Gjithashtu banorët në kallëzim kanë pretenduar se punimet në pronat e tyre, kryheshin në një kohë që nuk kishte dalë ende vendimi për shpronësimin e sipërfaqes së tokës të zënë nga zgjerimi i rrugës. Tashmë prokuroria e Tiranës pritet që ti drejtohet gjykatës së Apelit, ku do kërkojë sërisht arrestimin e kreut të Inspektoriatit të Ndërtimit Tiranë Mariglen Qato, dhe tre vartësve të tij.