Policia e Korçës ka arrestuar 32-vjeçarin Klaudio Shameti, pasi gjatë kontrolleve i ka gjetur një armë të llojit automatik në makinë.
Njoftimi i policise:
Vijojnë kontrollet e befasishme për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri me vete. Qarkullonte me armë zjarri në automjet, vihet në pranga 32-vjeçari. Sekuestrohet arma e zjarrit tip automatik me municion.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe të komisariateve në varësi të saj, vijojnë kontrollet e befasishme në kohë dhe vende të ndryshme, me qëllim kapjen e personave me precedent kriminal, personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete.
Si rezultat i kontrolleve të befasishme, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një person qarkullonte me armë zjarri me vete, shërbimet e Policisë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Korçë, në fshatin Rëmbec, Maliq, kanë ndaluar mjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin K. Sh., 32 vjeç, banues në fshatin Belorta, Korçë. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, këtij shtetasi iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip automatik me 9 fishekë, të cilat i posedonte pa leje.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Korçë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. Sh., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.