Tirana vijon përgatitjet para-sezonale nën drejtimin e trajnerit Orges Shehi, ndërsa drejtuesit e klubit nuk ndalin punën për të përforcuar organikën, pas një viti ku nuk arritën të zënë asnjë vend në kupat e Europës.
Kështu, afrimi më i fundit në gjirin e bardhebluve, është ish-mesfushori i Shkëndijës së Tetovës, Ennur Totre, i cili u la i lirë nga kuqezinjtë dhe mbrëmjen e djeshme, pranoi ofertën e Tiranës për të vijuar karrierën.
Mesfushori 24-vjeçar nga Tetova është rritur pikërisht te Shkëndija, ku edhe debutoi me skuadrën e parë në 2014-ën. Që atëherë ai numëron më shumë se 150 ndeshje me fanellën kuqezi e 9 gola të shënuar.
Totre është bërë pjesë edhe e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, me të cilën ka debutuar më 14 tetor të 2020-ës në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë, por nuk mori një ftesë për në “Euro 2020”.
Totre është mesfushori i tretë që i shtohet organikës së bardhebluve këtë verë, pasi më herët kanë firmosur edhe ish-futbollisti i Kukësit, Vesel Limaj dhe fantazisti i ardhur nga Llapi i Podujevës, Engjëll Hoti.