Komiteti i Ekspertëve është mbledhur këtë të hënë, pas zbulimit të rasteve me variantin Delta të Covid 19.
Rakacolli: Në vend ka rritje të lehtë të numrit të rasteve, por pavarësisht kësaj vendi mbetet në situatë të qendrueshme. Në rajon, Europë dhe botë, vihet re një rritje më e ndjeshme e rasteve. Tashmë në Shqipëri është vërtetuar dyshimi i ISHP-së për praninë e variantit Delta në Shqipëri, virusi qarkullon gjerësisht në Shqipëri.
Albana Fico: Nga Berlin ka ardhur përgjigja për praninë e Deltës në Shqipëri. Mesatarja ditore e rasteve të reja është rritur, së bashku me numrin total të të infektuarve, numri i bashkive ku ka të infektuar ka shkuar në 10. Në shërbimin e sëmundjeve infektive gjenden të shtruar 9 pacientë, nuk kemi pasur humbje jete gjatë kësaj jave. Ka shkuar në rreth 500 mijë numri i vaksinave të kryera me dy doza.
Janë 21 mostra që kemi çuar në Berlin të konfirmuara me Delta, e rëndësishme është që këto mostra i kemi gjetur të përhapur në shumë qytete të vendit. E rëndësishme është që të kuptojmë se e gjithë kjo përpjekje ka një vlerë të veçantë, që vaksinimi të shoqërohet me respektimin e masave që janë në fuqi.
Rastet me variantin Delta janë zbuluar në Tiranë, Korçë, Shkodër, Peqin, Gjirokastër, Mat dhe Vlorë.
Nuk e kemi përfunduar luftën me pandeminë, nuk duhet të harrojmë se virusi është prezent. Të gjithë personat që kanë simptoma të vetëizolohen dhe ti drejtohen mjekut të familjes. Ne do të vazhdojmë të çojmë mostra në Berlin, për të mbajtur nën kontroll situatën epidemiologjike.