Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e dhënë nga shkalla e parë e Vetingut, për shkarkimin nga detyra të Luan Hasnezirit, ish-gjyqtar i krimeve të rënda.
Hasneziri u shkarkua nga detyra për shka të mos justifikimit të pasurisë, por edhe për mosdeklarimin e revokimit të një vize amerikane. Ai apeloi vendimin e KPK-së, por Kolegji i Posaçëm vendosi ta lërë në fuqi këtë vendim.
Luan Hasneziri e ka filluar karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1999 si gjyqtar i Gjykatës së Tiranës dhe më pas në Vlorë. Ai është emëruar gjyqtar i Krimeve të Rënda në vitin 2005, pozicion te cilin e ka mbajtur prej gati 15 vitesh.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e hetoi Hasnezirin vetëm për dy kritere; atë të pasurisë dhe të pastërtisë së figurës. Një apartament i blerë në vitin 2006 dhe i paguar me një skemë të komplikuar që përfshin hua, kredi bankare dhe një kontratë noteriale, i krijoi probleme para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjyqtarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Po ashtu problem rezultoi për të edhe mosdeklarimi në formularin për kontrollin e figurës së refuzimit të një vize për të udhëtuar në SHBA. Gjatë seancës dëgjimore u vunë në dukje edhe pasaktësi në deklarimet periodike të gjyqtarit dhe mungesë të ardhurash për dy vite.
Njoftimi:
Njoftim vendimi
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.61/2019, datë 10.12.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Luan Hasneziri, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 170, datë 26.06.2019.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 170, datë 26.06.2019, që i përket subjektit të rivlerësimit Luan Hasneziri.
- Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 28.07.2021.
(E.H/Faxweb.al)
Discussion about this post