Në fjalën e tij në Forumin Ekonomik në Shkup të Maqedonisë së Veriut, kryeministri Rama ka kërkuar që ti jepet fund këtij konflikti, kësaj historie të gjatë, pasi sipas tij nuk kemi parë asgjë të keqe nga bashkëpunimi, por kemi parë keq nga konflikti me njëri – tjetrin.
“Kemi jetuar gjatë me kënaqësinë e vuajtjes së të tjerëve. Kjo histori është shumë e gjatë. Kush thotë që kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e Ish-Jugosllavisë, për të hegjemonuar dhe forcuar Serbinë, se do bëhet Serbia e madhe e kështu gjërash, së pari jeton në një botë paralele, së dyti jeton në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave të bashkëpunimit mes njerëzve. Krijimi i një hapësire që jeton me parimet, me vlerat dhe me mekanizmat e BE, ndërkohë që secili nga vendet bën përpjekjet e tij për tu integruar në BE. Të gjithë e dimë që më e gjatë është koha në kufi se sa rruga për shkuar nga një vend në tjetrin. Çështjet e pazgjidhura nuk zgjidhen më kollaj duke hedhur poshtë dhe mohuar potencialin e këtij bashkëpunimi.”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Rama.