Vetëvendosje ka reaguar ashpër për Forumin Ekonomik që po zhvillohet sot në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku nuk nguron të sulmojë kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve së bashku me presidentin serb, Vuçiç dhe kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev.
VV ka përdorur një krahasim në lidhje me datën se kur ka ardhur nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve, që përkon me 108 vjetorin e Konferencës së Londrës. Sipas VV, sot me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, Rama po e vendos Shqipërinë nën vasalitetin e Serbisë, duke formalizuar vendimet e “Zonës së Novi Sadit”.
Reagimi i plotë i VV:
Reagimi i Bojken Abazit:
108 vite nga Konferenca e Londrës te marrëveshjet e “Jugosllavisë së Re”.
Në Konferencën e Londrës, më 29 korrik 1913, ambasadorët morën një vendim formal për t’i njohur Shqipërisë së pavarur vetëm gjysmën e territorit të saj, duke lënë jashtë kufijve mbi 40% të popullit shqiptar, nën trysninë e Serbisë dhe Greqisë. Vendimet e asaj konference krijuan një padrejtësi historike që populli shqiptar e vuan sot e kësaj dite.
Sot, 108 vite më vonë, më 29 korrik 2021, pa presionin e ambasadorëve, KM Edi Rama po nënshkruan kokë më vete nën trysninë dhe joshjen nga Serbia, bashkë me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe KM e RMV Zoran Zaev, marrëveshje ekonomiko tregtare që e vendosin Shqipërinë nën vasalitetin e Serbisë, duke formalizuar vendimet e “Zonës së Novi Sadit” (Mini-Shengenit që po i ndryshojnë emrin, por jo përmbajtjen).
Nënshkrimet e Edi Ramës sot do të mbeten gjithashtu në histori. Ato janë nënshkrime të një kryeministri kolaboracionist me planet ekspansioniste të Serbisë. Me këto marrëveshje Rama e vendos ekonomikisht Shqipërinë nën dominimin ekonomik të Serbisë, duke e varfëruar më tej vendin. Me këto marrëveshje Rama tenton të sabotojë përpjekjen për ta vendosur Serbinë para drejtësisë për krimet dhe gjenocidet që ka kryer ndaj kombit shqiptar, duke i pastruar imazhin ndërkombëtarisht dhe duke ia normalizuar politikat agresive një Serbie që nuk kërkoi kurrë falje. Me këto nënshkrime Edi Rama ka shkelur të drejtat e Kosovës dhe të mbarë kombit.
Nuk e dimë kush ia ka propozuar Ramës datën 29 korrik për këto marrëveshje, por datë më domethënëse nuk mund të gjente!