Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi në një intervistë për Fax News komentoi raportin e ODHIR mbi zgjedhjet e 25 Prillit, që vlerësoi mes të tjerave dhe administrimin që i bëri zgjedhjeve institucioni që ai drejton.
Celibashi tha se dy nga problemet e adresuara nga ODHIR për zgjedhjet është fenonomeni i shitblerjes së cotës dhe keqpërdorimi i aseteve publike, për të cilat tha se KQZ ka bërë maksimumin, pasi koha në dispozicion ishte e shkurtër.
Sipas Celibashit, ODHIR vlerësoi dhe identifikimin elektronik të zgjedhësve, si dhe procesin e votimit dhe numërimit elektronik që u aplikua në njësinë 10 në Tiranë.
“Është një histori që nuk është e re, ajo sesi partitë politike e lexojnë raportin e OSBE-ODHIR, ne jemi duke bërë leximin tonë të raportit, jemi duke mbajtur shënim ato elementë të procesit që lidhen me veprimtarinë e KQZ, dhe që nuk kanë shkuar aq mirë sa do të duhej.
Më së pari duhet të adresohen në mënyrë të shpejtë të gjitha rekomandimet e ODHIR, sikurse janë shitblerja e votës, përdorimi apo keqpërdorimi i aseteve publike, financimi i partive politike, dhe aspekte të tjera që në vlerësimin tim duhet të kenë një adresim të plotë edhe nga Kuvendi i Shqipërisë.
Nuk besoj se kishim mundësi të bënim më shumë sesa bëmë, sa i takon shitblerjes së votës, KQZ nuk ka mundësi që të bëjë më shumë, ne mund vetëm ti referojmë në prokurori. Sa i takon përdorimit të aseteve publike, dikush mund të thojë se duhet të kishim bërë më shumë, por unë mendoj se ne e kemi bërë detyrën tonë.
Është parë si një sukses jo vetëm votimi elektronik që u aplikua në njësinë 10 në Tiranë, por edhe identifikimi elektronik që u shtri në të gjithë vendin. Është e nevojshme që në të ardhmen të bëhet një auditim i sistemeve që janë përdorur, ne e kemi pasur dhe e kemi gadishmërinë në rast se kushdo të bëjë auditimin”, tha Celibashi.
(E.K/Faxweb.al)