Ish-efektivi i “Shqiponjave” Nevaldo Hajdaraj, i dënuar për vrasje me dashje të 25-vjeçarit Klodian Rasha, në 8 dhjetor të 2020-ës ka ankimuar vendimin në Gjykatën e Apelit.
Hajdaraj kërkon ndryshimin e vendimit dhe dënimin për vrasje në tejkalim të nevojës për tu mbrojtur, por jo vrasje me dashje. Ankimi është dorëzuar në fund të korrikut dhe pritet që Apeli të hedh shortin për dosjen.
Ndërkohë, ankim për vendimin është bërë edhe nga Prokuroria e cila kishte kërkuar dënimin me 20 vite burg. Gjykata e Tiranës dënoi në 14 korrik Hajdarajn me 15 vite burg dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar shkoi në 10 vite.
Babai i Rashës, Qazim Rasha, doli i zhgënjyer nga seanca e fundit, duke mos e konsideruar drejtësi vendimin e Shkallës së Parë.
“Do vijë momenti që do ti themi disa gjëra. Sot është momenti. Dua tju falënderoj ju nga zemra për punën fisnike që keni kryer që nga dita e parë deri tek dita e sotme. Falë jush shumë gjëra morën rrugë, pavarësisht inskenimeve që u munduan me të gjitha format.
Falënderoj çdo person që ka trokitur në derën time nga dita e parë deri sot në ditën e 216, falënderoj çdo qytetar që mbushën sheshet. Ardhja ime që nga dita e parë ka qenë jo krejt pa domethënie. Ishte një makabritet që e kreu një sekt që çdo lloj epiteti mund të vendosësh vetëm epitetin njeri jo.
Ai për të cilin paguan taksa, një lloj huligani, padrejtësisht vret një djalë i ri në rrugicën e shtëpisë së vetë. Pavarësisht alibisë, ngjarjes, tragjedisë, arriti deri aty sa viktima të marrë pozicionin e kriminelit dhe krimineli me petkun e viktimës. Është një ngjarje që ka tronditur jo vetëm themelet e familjes sime, por të m barë shoqërisë, por edhe shtetit. Kjo njollë e zezë nuk do i hiqet. Mesazhi im një, fëmija im ik, u varros, por fëmija juaj, gjaku është njëlloj si i të gjithëve.
Mendoja që me këtë rast të shërbejë një shembull për këta që janë gjallë, të shërbejë si simbolikë që edhe ju kini kujdes ruajini fëmijët tuaj. Si mund ta quash drejtësi, kur çdo gjë është e qartë dhe me një të rënë të lapsit i jep gjykimin e shkurtuar. Mendoj dhe besoj tek drejtësia e re që po ngrihet. Unë e kam kërkuar drejtësinë që ditën e parë, por me këtë lloj drejtësie nuk besoj se mund ta gjejë askush”, tha Qazim Rasha për gazetarët pas vendimit të dhënë nga shkalla e parë Gjykatës së Tiranës.