Diegia e gomave të përdorura në Fushë Krujë përbën një skandal të vërtetë mjedisor. E ndërsa nga terreni vijnë informacione se gomat e përdorura digjen prej ditësh asnjë reagim nuk ka ardhur nga zyrtarët përgjegjës siç janë ata të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Përveç mbetjeve kancerogjene që janë një shqetësim i madh për qindra e mijëra banorë të zonave, heshtja nga autoritetet e thellon dhe më tepër këtë skandal.
Një vendim qeverie i 14 tetorit të 2016, i cili është firmosur asokohe nga zvkryeministri Niko Peleshi përcakton qartë mënyren e trajtimit të gomave të përdorra dhe mbetjet e tyre. Në këto raste përfshihen operacione të ngjashme siç parashikohet në vkm.
- a) Riveshjen për ritregtim, me qëllim përdorimin origjinal të tyre;
- b) Riciklimin e gomave të patregtueshme, nëpërmjet grirjes së tyre dhe përdorimit të granulave si lëndë e parë për industrinë e prodhimit të gomave;
- c) Rikuperimin e gomave të patregtueshme me qëllim përfitimin e energjisë;
ç) Përdorimin e gomave të përdorura si lëndë djegëse shtesë për veprimtari të caktuara industriale.
Anekse te tjera ligjore për këtë çështje parashikojnë dhe mënyrën dhe vendet ku depozitohen gomat e përdorura të percaktuara në sipërfaqe të hapura betoni me mur rrethues minimum 2 metra. Trajtuesi i gomave të përdorura dërgon pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve informacion në lidhje me sasitë e gomave/mbetjeve të gomave të përdorura, të trajtuara sipas dokumenteve të transferimit, brenda datës 30 tetor të çdo viti.
Agjencia informon ministrinë në lidhje me të dhënat e trajtimit të mbetjeve nga gomat e përdorura brenda muajit janar të vitit pasardhës. Në rastin e Fushë Krujës asgjë e tillë nuk ka ndodhur përkundër kësaj është gjetur mënyra më mizore ndaj mjedisit djegia e tyre dhe përdorimi për furrat e paligjshme të gëlqeres.
Madje për më tepër Agjencia Kombëtare e Mjedisit autoriteti përgjegjës për këtë situatë ka heshtur deri sot. Duhej të plaste ky skandal në media që inspektorët e ketij dikasteri të zbrisnin ne terren ku mësohet se kanë vendosur dhe gjobë.
FaxNeës tentoi të lidhej me kreun e kësaj agjencie Edison Konomin, i cili ishte i qarte dhe plotësisht i artikulueshëm se pikat e grumbullimit të gomave janë pa leje, por ndërkohë nuk foli asgjë pse ishte lejuar kjo paligjshmëri.
Drejtori Konomi madje nuk e kishte idenë nëse institucioni që drejton ka vendosur gjoba për këtë skandal. A ka nje database AKM për subjektet që grumbullojnë goma dhe i trajtojnë ato në përputhje me ligjin, po një database për pikat e paligjshme të grumbullimit të tyre?
A ka vendosur gjobat e caktuara me ligj AKM. Ligji e thotë qartë që çdo person që angazhohet me mbetjet nga gomat e përdorura jo në përputhje me nenin 41 të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 1 000 000 (një milion) deri në 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë.
Faxnews kërkoi reagim me kamër të drejtorit dhe priti disa orë për realizimin e saj. Po dicka e tillë nuk u bë e mundur, ndërsa për këtë skandal që na kërcënon të gjithëve po detyrohemi të japim bashkëbisedimin telefonik të gazetares Mirilda Tili me zotërinë.
“Ato nuk kanë leje mjedisore se janë vetëm pika grumbullimi, po databasen në xhep nuk e kam”, shprehet drejtori Konomi.