Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, janë duke e shtyrë përpara iniciativën e tyre të “Minishengenit”, të riemëruar tashmë si “Open Balkan”, pavarësisht se kësaj nisme s’po i bashkohet treshja tjetër e shteteve të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Megjithatë, pavarësisht qëndrimeve të Prishtinës, Podgoricës e Sarajevës, nismat për bashkëpunim rajonal po i përkrahin shtetet e fuqishme si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania.
Në një përgjigje për Gazetën Express nga Qeveria Federale e Kancelares Angela Merkel kanë thënë se çfarëdo bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është fitimprurës. Nga Gjermania gjithashtu theksojnë se bashkëpunimi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Çfarëdo bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është i dobishëm. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që bashkëpunimi të mbetet gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjashtë vendet në rajon. Kjo është arsyeja pse ne e mbështesim fuqishëm Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal”, ka thënë një zëdhënës i qeverisë gjermane.
Nga Berlini zyrtar kanë rikujtuar se të gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor i kanë dhënë zotimet e tyre në Samitin e fundit të Procesit të Berlinit, të mbajtur më 5 korrik për çështjen e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, derisa e përmendin edhe kërkesën e Kancelares Merkel që të dyfishohen përpjekjet për finalizimin e katër marrëveshjeve deri më 6 tetor, kur edhe do të mbahet Samiti i radhës Bashkim Evropian – Ballkan Perëndimor.
“Krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor e riafirmuan angazhimin për këtë projekt historik në Samitin e fundit të Procesit të Berlinit më 5 korrik. Detyra urgjente tani është të finalizohen negociatat e katër marrëveshjeve për lirinë e udhëtimit me kartat e identitetit, lirinë e udhëtimit për shtetasit e vendit të tretë dhe njohjen e kualifikimeve akademike e profesionale. Siç nënvizoi kancelarja gjermane, Merkel, gjatë konferencës së shtypit pas Samitit të Procesit të Berlinit më 5 korrik, përpjekjet duhet të ridyzohen për ta arritur këtë hap të rëndësishëm përpara deri në samitin BE – Ballkan Perëndimor më 6 tetor”, ka shtuar tutje ky zëdhënës, në pyetjen se si qeveria gjermane e sheh iniciativën e “Open Balkan” dhe nëse shtetet tjera duhet t’i bashkohen një nisme të tillë.
Të pyetur nëse kjo nismë është një sinjal që Bashkimi Evropian ta ndryshojë politikën e zgjerimit, meqë vendet e Ballkanit Perëndimor po kërkojnë rrugë të tjera të bashkëpunimit pa u anëtarësuar në BE, nga Berlini thonë se qëndrimi i tyre për “perspektivën drejt BE’së të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bazuar në metodologjinë e re të zgjerimit, mbetet i pandryshueshëm”.
Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se i mbështesin përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për ta forcuar integrimin ekonomik dhe i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i qaset me “mendje të hapur” përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik.
“Në fund të fundit, Qeveria e Kosovës duhet të vendosë se në cilat iniciativa do të bashkohet dhe cilat e mbështesin më së miri vizionin e saj ekonomik. Megjithatë, ne e inkurajojmë qeverinë që t’i qaset përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik me mendje të hapur dhe t’i përqafojë zgjidhjet që japin rezultate për kosovarët, teksa i përmirësojnë raportet me fqinjët e saj”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë më 9 gusht një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë, duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me refuzimin e Qeverisë së Kosovës për t’iu bashkuar iniciativës “Ballkani i Hapur” (“Open Balkan”).