Punësimi në sektorin privat nuk po rikuperohet edhe me lehtësimin e masave kufizuese të pandemisë.
Ndonëse ekonomia shënoi rritje me 5.5% në 3- mujorin e parë të këtij viti dhe pritshmëritë janë për rritje më të përshpejtuar në tremujorin e dytë, kjo ecuri nuk po reflektohet pozitivisht në punësim.
Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) tregojnë se në 6-mujorin e parë, numri mesatar i kontribuuesve në skemë (reflekton numrin e të punësuarve që paguajnë sigurime) arriti në 727, 905 persona me një rritje 8% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Mirëpo punësimi në sektorin privat shfaqi një tendencë të kundërt. Numri i kontribuuesve në firmat private ishte 370,882 persona në 6-mujorin e parë, 20,751 persona më pak ose me ulje -5.3% se në janar-qershor 2020, kur vendi ishte në kulmin e pandemisë.
Rritja e numrit të kontribuuesve në skemë këtë 6-mujor është nxitur nga sektori shtetëror, në të cilin janë punësuar më shumë njerëz në prag të zgjedhjeve parlamentare prillit.
Siç shihet nga të dhënat në janar-qershor, ndërmarrjet jo-buxhetore në pronësi të shtetit të tilla si kompanitë e energjisë dhe ujësjellësit punësuan rreth 7 mijë persona më shumë se 6-mujorin e parë 2020 me një rritje vjetore 49.5 për qind.
Gjithashtu punësimi në sektorin shtetëror shënoi rritje më tej, duke u zgjeruar me 5,600 persona ose 4.1% në raport me 6-mujorin i parë 2020.
Rritet ndjeshëm vetëpunësimi
Gjatë 6-mujorit të parë shihet një përmirësim i ndjeshëm në vetëpunësim. ISSH raportoi se në gjysmën e parë të vitit derdhën kontribute 133,874 të vetëpunësuar me një rritje 68% në raport me vitin e kaluar. Numri i kontribuuesve shënoi përmirësim edhe me vitin normal 2019, ku në të njëjtën periudhë u raportuan në sigurime rreth 86 mijë të vetëpunësuar.
Përmirësim shënuan edhe të vetëpunësuarit në bujqësi. Në janar-qershor 2021 janë punësuar me sigurime rreth 52 mijë persona, me një rritje 20% ose 8672 persona më shumë se një vit më parë.
Në të kundërt të tendencës së përgjithshme, kontribuuesit vullnetarë në skemën e sigurimeve shënuan rënie vjetore me 1.4% me një numër total 5525 persona.
Struktura e ekonomisë shqiptarë vazhdon të vuajnë mungesën e transmetimit të rritjes ekonomike në punësim. Në këto tre dekada të tranzicionit, punësimi nuk ka pasur një lidhje të drejtë me rritjen ekonomike.
Në vitet në vijim forca e punës në vendin tonë do të vijë me rënie si pasojë rënies së lindjeve dhe emigracionit të lartë. Shumë sektorë të tilla si fasoni dhe bujqësia kanë nisur të ndjejnë mungesa./Monitor