Meteorologia Adiola Bami, përmes një lidhjeje të drejtëpërdrejtë me studion e lajmeve të televizionit FaxNews, ka bërë me dije se si do të jetë moti në vendin tonë në ditët në vazhdim.
Bami shprehet se dita e sotme do të jetë e kthjellët në shumicën e territorit, por me vranësira të herëpashershme në zonat verilindore dhe juglindore. Për ditën e nesërme Bami thekson se moti është i kthjellët dhe do të ketë një rritje të temperaturave në 37 gradë celcius.
Duke filluar nga e mërkura dhe deri në fund të muajit gusht meteorologia Bami shprehet se vendi ynë do të përfshihet nga vranësirat dhe rebeshe të shumtë shiu.
Bami evidentoi të premten si ditën kur reshjet e shiu do të përfshijnë të gjithë territorin e vendit.
“Dita e sotme paraqitet kryesisht e kthjellët për vendin tonë, ndërkohë që zonat lindore janë ato të cilat herëpashere gjatë ditës do të kenë kalime vranësirash duke sjellë dhe ndonjë shi të papërfillshëm në verilindje dhe juglindje të vendit.
Dita e dielë do të paraqitet me motë të kthjellët në të të gjithë vendin. E diela do të sjellë dhe rritje të temperaturave të ajrit duke bërë që maksimumi të ngjitet në 37, por në ndonjë zonë të veçantë si në rrethinat e Elbasanit dhe Beratit edhe në 38 gradë celcius.
Pavarësisht se kemi mëngjeset e freskëta sërish mesdita mbetet e nxehtë edhe gjatë ditës së nesërme.
Java e fundit e muajit gusht duhet ndarë në dy pjesë, ku pjesa e parë paraqitet me mot të kthjellët me temperatura relativisht të larta, ku termometri mbetet rreth vlerës 37 gradë celcius. Ndërsa duke filluar nga mesi i javës dhe deri në fund të muajit gusht do të kemi një prezencë të vranësirave në të gjithë vendin tonë, ç’ka do të shoqërohet edhe me rebeshe shiu. Gjatë të premtes së ardhshme pritet që reshjet e shiut të përfshijnë të gjithë territorin e vendit.
Në fund të muajit gusht do të kemi një rënie të temperaturës me 4 gradë celcius, duke bërë që të kemi një stabilizimim të vlerave termike”, tha Bami.