Gjykata e Dibrës ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest me burg” për Alfred Debreshin, pasi vendosi tritol në automjetin e vëllait të tij, Elton Debreshi.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 27 gusht, ku automjetit tip ”Benz” të Elton Debreshit iu vendos një sasi e vogël tritoli, që fatmirësisht shkaktoi vetëm dëme materiale.
Dyshimet e policisë nisën pas një përgjimi ambjental të bërë ndaj dy vëllezërve pas shpërthimit të ndodhur.
Ndonëse ata kanë mohuar ta kishin planifikuar bashkë ngjarjen me qëllim përdorimin e saj për azil politik në Gjermani, pista kryesore e policisë është kjo.
Mbi 29 vjeçarin Alfred Debreshi rëndojnë tre akuza penale: “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; “Mbajtja pa leje e lëndëve plasëse” dhe Deklarim i rremë para oficerit të policisë gjyqësore”
Elton Debreshi garoi si kandidati i pavarur në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit për një vend në parlamentin shqiptar, por nuk ia doli që të marrë mandatin.
Debreshi është Kreu i Sindikatës së Minatorëve, dhe ishte kjo e fundit e cila bëri denoncimin në lidhje me ngjarjen e rëndë, teksa pas hetimeve, policia bëri të mundur arrestimin e autorit, vëllait të tij.