Detaje të reja kanë dhënë zyrtarët e policisë spanjolle për shkatërrimin e grupit shqiptar që qëndronte në krye të kultivimit të marjuanës përmes të ashtuquajturave “shtëpive të barit”. Zyrtarët thonë se përveç trafikut të marjuanës shqetësim mbetet se grupet e kultivimit të drogës janë të pajisur me armë, dhe shpesh përplasen mes tyre.
“Të gjitha organizatat që kultivojnë drogë, janë të pajisur me armë, po bëhet një tregti e madhe e armëve. Kur kriminelët kanë armë, problemet zgjidhen me armë, dhe kjo ka shkaktuar dhe rritjen e numrit të vrasjes. Kemi të paktën 3 vrasje në vit që lidhen me trafikun e marjuanës.
Në këtë rast që kemi zbuluar ka pasur 2 raste të tentativës së vrasjes, për shkak se këta njerëz kishin elektrifikuar portën kryesore, kusho që e prekte atë, mund të vdiste. Janë të fiksuar me sigurinë e platacioneve të drogës. Kanë vjedhur energji që shkon në shifra që do furnizonte për një vit 2 mijë familje spanjolle”, tha një prej zyrtarëve të policisë spanjolle.
Zyrtari spanjoll tha më tej se shqiptarët janë duke përparuar shpejt në trafikun e marjuanës, dhe ata bashkëpunojnë me grupet vendase. Spanja mbetet vendi që eksporton më shumë marjuanë në të gjithë botën, dhe kjo sipas zyrtarëve të policisë atje nuk është një fakt që i bën të ndihen krenar.
Në kuadër të megaoperacionit të përbashkët të koduar “DOBRA”, u godit një grup kriminal në fushën e krimit të organizuar dhe u arrestuan 107 persona të dyshuar të përfshirë në krimin e organizuar në fushën e drogës, shumica prej të cilëve ishin shquiptar.
Gjatë këtij megaoperacioni u kryen kontrolle në 51 ambiente, nga të cilat 23 plantacione/shtëpi bari, u asgjësuan rreth 25.000 bimë narkotike kanabis, u sekuestruan 938 kg boçe kanabisi, një detonator, dy armë zjarri, tri mjete luksoze, një bllokues valësh, 68.760 euro etj.
Gjatë fjalës së tij, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se hetimet do të shtrihen dhe në pasuritë e të arrestuarve në Shqipëri. Sipas tij çdo pasuri që ka rrjedhur nga aktiviteti kriminal do të sekuestrohet. (Lexo edhe ketu lajmin)
Për momentin nuk bëhen ende me dije identitetet e shqiptarëve që janë arrestuar, ndërsa sipas Veliut bashkëpunimi me kolegët spanjollë tregon se Policia shqiptare është bërë një partner i besueshëm.
(E.K/Faxweb.al)